Egnatia gjen te Laçi zëvendësuesin e Kasës, rikthehet edhe Atanda

31/08/2023 14:44

Zhvillime të rëndësishme te Egnatia në këtë fund merkatoje, teksa pas Redi Kasës, që u huazua te Olimpija Ljubjana në Slloveni, është larguar edhe mbrojtësi Hysen Memolla.

Ky i fundit ka fluturuar drejt Turqisë, ku edhe pritet të vijojë karrierën, por momentalisht nuk bëhet ende i ditur emri i klubit të ri.

Ndërkohë, klubi rrogozhinas ka lëvizur shpejt në merkato për të zëvendësuar të dy futbollistët, duke qenë se kampionati ka nisur tashmë dhe nuk ka kohë për të humbur. Kështu për të zëvendësuar Redi Kasën, Engatia ka blerë kartonin e Sebastian Spahiut nga Laçi.

Mesfushori 23-vjeçar shqiptar është lindur dhe rritur si futbollist në Belgjikë, teksa prej 2021-shit është pjesë e kurbinasve dhe e njeh mjaft mirë Superioren. Detajet e transferimit te Egnatia nuk janë bërë ende të ditura nga palët, por Spahiu ka firmosur tashmë kontratën dhe pritet të vihet në dispozicion të trajnerit Edlir Tetova.

Sa i përket mbrojtjes, për të zëvendësuar Memollën, ashtu siç njoftoi SuperSport më herët, drejtuesit e Egnatias kanë vendosur të rikthejnë në ekip nigerianin Sodiq Atanda, i cili ishte pjesë e rrogozhinasve edhe sezonin e kaluar dhe u largua vetëm në fillim të qershorit.

Atanda luajti 35 ndeshje dhe shënoi një gol sezonin e kaluar me Egnatian, teksa këtë sezon pritet të luajë sërish nëj rol të rëndësishëm në prapavijën e skuadrës rrogozhinase. /Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA