Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim një delegacion me përfaqësues të Grupit të Miqësisë Japoni-Shqipëri, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Ai u shpreh i lumtur që Shqipëria, e cila me hapjen e Piramidës, do të kthehet së shpejti në epiqendrën digjitale për Ballkanin, ka përkrah Japoninë, një prej vendeve më të përparuara sa i takon teknologjisë.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të presim për një vizitë pune në Tiranë deputetin Hirai Takuya [Anëtar i Grupit të Miqësisë Japoni-Shqipëri, Kryetar i Delegacionit], ambasadorin e jashtëzakonshëm të Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki, dhe delegacionin shoqërues për industritë digjitale. E informova delegacionin për faktin se Tirana, me hapjen e Piramidës, do të kthehet në një epiqendër digjitale për Ballkanin, kryesisht për t’iu mësuar fëmijëve aftësitë teknologjike, që i bëjnë ata të gatshëm për punët e së ardhmes. Unë besoj se nuk kemi aleat më të mirë se Japonia për të mësuar dhe për të parë se si bota akademike, universitetet, kapitali që vjen nga korporatat e ndryshme, të gjithë duhet të jenë pjesë e këtij ekosistemi për të garantuar që suksesi i njërit është edhe suksesi i secilit. Ndaj, u jam shumë mirënjohës për ambasadorit dhe deputetit,” u shpreh Veliaj.
Kryetari i delegacionit të deputetëve japonezë, Hirai Takuya, tha se është i lumtur për këtë bashkëpunim me Shqipërinë, për rritjen e mëtejshëm të potencialit të të rinjve në fushën e teknologjisë.
Top Channel