Struga do të tentojë përmbysjen në ndeshjen e dytë të Play-Off në Conference League në Reykjavik përballë vendasve të Breidablik.
Skuadra Kampione e Maqedonisë së Veriut u mposht në takimin e parë me shifrat 0-1, por gjithçka mbetet e hapur. Trajneri Shpëtim Duro foli në konferencë për shtyp para ndeshjes me Breidablik theksoi se skuadra e tij do të bëjë maksimumin për t’u kualifikuar aq më tepër kur sipas teknikut të Strugës, humbja e parë ndaj islandezëve ishte e pamerituar.
“Rezultati i ndeshjes së parë është në favor të kundërshtarit sepse ne e kemi humbur ndeshjen e parë. Por, është një rezultat minimal dhe kam besim se skuadra do të japë maksimumin për të luajtur dhe ky rezultat i ka të gjitha mundësitë. Ne kemi luajtur më mirë se kundërshtari dhe ishte një humbje e pamerituar, por mendojmë që këtë ndeshje të japim maksimumin.
I kam thënë skuadrës se janë 90 minutat që duhen luajtur me të gjitha mundësitë dhe pastaj të shohim përfundimin e lojës. Kemi dy mungesa të rëndësishme në formacion. Radevski mungoi edhe në ndeshjen e parë, për ne është mungesë shumë e rëndësishme se po kalonte një formë shumë të mirë. Po ashtu edhe Zguro ka luajtur stabël, ka kontribuar për arritjet e skuadrës deri në këto momente.
Do të mundohemi të marrim masat për t’i zëvendësuar. Morali është lart, kam biseduar me futbollistët dhe janë të zhgënjyer për rezultatin e ndeshjes së parë. Por, duke patur parasysh zhvillimet e lojës kanë besimin e duhur për të bërë diçka të mirë në këtë takim”, u shpreh Duro.
Kujtojmë se ndeshjen mes Breidablik dhe Strugës mund ta ndiqni në SuperSport 2 duke nisur nga ora 18:45.
Top Channel