Ukraina celebronte sot Ditën e Pavarësisë teksa lufta e saj me Rusinë hyn në muajin e 19-të.
Sivjet parada e forcës ushtarake të Ukrainës, ishte zëvendësuar me një ekzibicion të mjete ushtarake ruse të shkatërruara në konflikt, të shoqëruar me shfaqje copa raketash, bombash e uniformash.
Presidenti Volodymyr Zelensky vlerësonte ata që luftonin për “liri” në fjalimin e rastit, mes pushtimit rus të rajoneve lindore te vendit.
“Sot festojmë 32-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, është dita e njerëzve të lirë. Liria është një vlerë për secilin prej nesh, prandaj për të luftojmë”, tha mes të tjerash Zelensky.
Kreu i inteligjencës së vendit Kyrylo Budanov tha në një mesazh se “lufta për pavarësi, vijon edhe sot, ndaj agresorit imperialist, Rusisë”.
Ndërsa kreu i shërbimeve të sigurisë Vasyl Maliuk tha se kjo ditë merrte kuptime të reja gjatë luftës me Moskën.
Një seri eventesh ishin organizuar në Ukrainë për të shënuar ditën, e cila u kujtua dhe nga vendet aleate të BE që kishin ngritur flamurë të Ukrainës.
Në Bruksel ndërtesat e BE mbanin ngjyrat blu e të verdhë ndërsa Ursula von der Leyen vlerësonte “kurajën dhe forcën e ukrainasve “.
Top Channel