Tiranë/ U ndaluan për shkelje të rregullave rrugore, dy shoferë tentojnë të korruptojnë policët

23/08/2023 11:18

Shkon në 74 numri i drejtuesve të automjeteve, që kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e detyrimeve ligjore apo të masave administrative.

Policia Rrugore e Tiranës ka ndaluar në rrugën “Teg-Sauk”, automjetin me drejtues shtetasin F. ZH., 51 vjeç, pasi është konstatuar duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të automjetit. Në rrugën “Ferit Xhajko” policia ka ndaluar automjetin me drejtues shtetasi S. F., 37 vjeç, i cili nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.

Me qëllim shmangien e masave administrative, drejtuesit e automjeteve kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, duke i ofruar atyre shuma parash.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Top Channel