Donald Trump deklaroi se nuk do të marrë pjesë në debatet e ardhshme të kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm nga radhët e Partisë Republikane.
Argumenti i ish-presidentit amerikan ishte epërsia e tij e madhe në sondazhe, të cilën e përshkroi si dëshmi të faktit që tashmë është i njohur dhe i pëlqyer nga votuesit. Trumpi prej disa kohësh e ka lënë të kuptohet se do të mungojë në debatin e planifikuar për 23 gusht. Ç`kuptim ka, sipas tij, t`u ofrojë rivalëve republikanë rivalëve të tij republikanë mundësi për ta sulmuar kur kryeson në anketime.
Një ditë më parë, Donald Trump u rendit si favorit për fituar nominimin për president nga Partia Republikane në një sondazh të realizuar nga CBS. Sipas këtij sondazhi, 62 për qind të votuesve republikanë e cilësojnë atë si kandidatin e tyre të preferuar, ndërsa 16 për qind e favorizonin rivalin e tij kryesor, guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis.
“Publiku e di se kush jam dhe çfarë presidence të suksesshme kam pasur. Prandaj, nuk kam për të marrë pjesë në debate”, shprehet Trump.
Mungesa e Trumpit në debatin e kësaj jave mund të bëjë që DeSantis të kthehet në shënjestrën e sulmeve nga kandidatët e tjerë që kërkojnë të shihen si alternativa kryesore ndaj ish-presidentit. Fituesi nga radhët e Partisë Republikane do të përballet me presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2024.
Ndërkohë, Trump ka afat deri më 25 gusht për t’u dorëzuar vullnetarisht, pasi javën e kaluar iu ngrit edhe një padi e katërt penale.
Top Channel