Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka përgëzuar sukseset e strukturave të Policisë së Shtetit në kuadër të operacioneve antikanabis të zhvilluara në të gjithë vendin.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Balla deklaron se lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike vijon çdo ditë.
Sipas Ballës, shqiptarët presin një pastrim të territorit nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike.
“Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë një burim financash për organizatat kriminale, i cili duhet shuar përfundimisht”, shkruan Balla.
Policia e Shtetit ka vijuar me sukses të plotë megaoperacionin kundër kultivimit të bimëve narkotike, në të cilin janë angazhuar rreth 7 mijë forca policie dhe dhjetëra dronë me rezolucion të lartë. Gjatë 72 orëve të fundit, janë asgjësuar në total rreth 24 220 bimë kannabis sativa dhe është sekuestruar 29 kg lëndë narkotike kanabis në Pukë. Për këto raste janë shpallur në kërkim dy shtetas dhe është proceduar penalisht 1 kryeplak fshati si dhe vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë.
Me qëllim asgjësimin e çdo bimë kannabis sativa të kultivuar, Policia e Shtetit do të intensifikojë edhe më shumë kontrollet në të gjithë vendin, duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, për të marrë informacion në lidhje me tentativat për kultivim të bimëve narkotike.
Top Channel