Bashkimi Europian kërkoi hapa të mëtejshëm nga qeveria e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri si kusht për heqjen e masave ndëshkuese.
Por ndonëse mbetet e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas propozimit të bllokut, Prishtina zyrtare insiston se Aneksi për zbatimin e ujdise duhet te zbatohet “në mënyrë të sekuencuar dhe të balancuar”.
Kjo pavarësisht se pak më herët, zëdhënësi i BE-së Peter Stano sërish kujtoi rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve sipas propozimit të BE-së, u arrit në fund të shkurtit, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj, palët ranë dakord në mars.
Edhe pse parashikon zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ajo u spostua në plan të dytë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në fund të majit. BE-ja, e cila prej më shumë se dhjetë vjetësh ndërmjetëson në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.
Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit, në formë të pezullimit të përkohshëm të punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Po ashtu, prezenca e Kosovës në organizimet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale është pezulluar.
Top Channel