Tre pjesëtarë të policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb dhanë dorëheqjen vetëm tre muaj nga fillimi i punës.
Zhvillimi vjen pikërisht në kohën kur komuniteti ndërkombëtar i ka në qendër të vëmendjes zhvillimet në veriun e Kosovës, dhe kërkon zgjidhje për atmosferën e rënduar atje me shpresën të shmanget çdo ripërtëritje e mundshme e tensioneve. Presidentja Vjosa Osmani e cilesoi aktin e policëve të rinj si rezultat të kërcënimeve nga Beogradi.
“Dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia – një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e Millosheviqit. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë gjithëpërfshirje në të gjitha institucionet dhe një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, tha Osmani nw Twitter.
Dorëheqjet shqetësuan edhe shefin e EULEX’it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano. Barbano u shpreh se këto zhvillime shqetësuese po i ndjekin nga afër dhe se përbërja e policisë duhet të jetë përfaqësuese e komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, reagoi gjithashtu duke thënë se një shtet multi-etnik duhet ta ketë edhe policinë e tillë.
Disa serbë u bënë vullnetarisht pjesë e Policisë së Kosovës, por veprimi i tyre u kundërshtua nga eksponentët e dhunshëm në Veri.
Top Channel