Afera me rezervat shtetërore në Kosovë/ Ministrja Hajdari: Nuk shoh asnjë arsye për dorëheqje

18/08/2023 20:53

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka deklaruar se nuk sheh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje, pas arrestimit të dy zyrtarëve të kësaj ministrie dhe një afaristi nën dyshimin për keqpërdorime me furnizim të Rezervës Shtetërore.

Ministrja Hajdari në konferencën për media theksoi se s’ka as dyshime për zyrtarët e ndaluar për 48 orë të premten nga policia.

“Sa i përket dorëheqjes time, nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe siguri të plotë dhe nuk shoh asnjë arsye dhe thjesht dyshim te zyrtarët të cilët janë të ndalur sot”, theksoi Hajdari.

Ministrja Hajdari theksoi po ashtu se kërkesa e policisë për pranim-dorëzim të provave ka qenë në kundërshtim me ligjin.

“Si Ministri e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pres që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore të mos cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore për sa kohë që bëhet fjalë Rezervën shtetërore të Republikës sonë e klasifikuar sipas ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të klasifikuar. Sepse gjatë hetimeve dokumentet të cilat janë marrë si prova nga ana e policisë në MINT janë klasifikuar si sekrete shtetërore, ndërsa policia e njësisë hetuese nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete. Pra, kërkesa e policisë për pranim dorëzim të këtyre provave e dokumenteve ka qenë në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”, theksoi ajo.

Ajo foli edhe për përgjimet e publikuara të cilat i quajti audio-incizime nga vetë zyrtarët e MINT. Teksa shtoi se pas këtyre publikimeve ka pasur fyerje, shantazhe ndaj personalitetit të saj.

“Nuk ka përgjime, por ka audio-incizime, kanë incizuar veten dhe zyrtarë në Ministri. Ka pasur fyerje, shantazhe në personalitetin tim, por unë nuk e kam në plan të zmbrapsem asnjë herë nëse është në pyetje siguria kombëtare, zbatimi i legjislacionit dhe funksioni I MINT”, theksoi ajo.

Në konferencën për media ajo ka mohuar se është intervistuar nga policia gjatë ditës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA