Dy shtetasit e Kosovës, që janë arrestuar dy ditë më parë në Shqipëri, nën dyshimet se kanë shpërndarë drogë, do të qëndrojnë në paraburgim “pa afat”.

Gjykata Penale e Tiranës e ka caktuar këtë masë sigurie për pesë të arrestuarit e operacionit antidrogë, ku janë sekuestruar 11.300 doza të drogës së llojit ekstazi. Dy kosovarët, Mithat Ramadani dhe Besnik Mujeci, si dhe tre bashkëpunëtorët e tyre nga Shqipëria, Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia, do të qendrojnë në qeli deri në fund të hetimeve.

Besnik Mujeci, 40-vjeçar është asamblist i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Pas lajmit për arrestimin e tij, partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar nga radhët e saj.

“Komisioni Disiplinor mori vendim për përjashtimin e Besnik Mujecit nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Veprimet për të cilat është arrestuar Besnik Mujeci janë krime të rënda dhe institucionet e drejtësisë duhet ta marrin dënimin e merituar!”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook.

Arrestimi i Mujecit dhe katër bashkëpunëtorëve të tij, është kryer pas një hetimi disamujor në kuadër të operacionit të koduar “PUNISHER 2”. Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik, i kanë kaluar dërgesat [e drogës] nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë.

Pasi dërgesat kanë arritur në Tiranë, ato janë transportuar me vetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit janë caktuar në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Të dyshuarit janë kapur me një dërgesë me lëndë të dyshuar narkotike prej 11.300 tabletave ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kilogramë, që ka vlerën e rreth 400 mijë eurove në treg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA