Arrestimet për koncesionin e sterilizimit, Bardhi: SPAK të hetojë personat realisht përgjegjës për abuzimet në kurriz të qytetarëve

17/08/2023 13:05

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka përshëndetur arrestimet e kryera nga SPAK për koncesionin e sterilizimit, duke i konsideruar ato hapat e parë drejt ndëshkimit të korrupsionit në Shëndetësi.

Sipas Bardhit, korrupsioni, abuzimi me detyrën dhe shpërdorimi i fondeve publike, për klientë të paracaktuar të qeverisë Rama është fenomen i shtrirë kudo në çdo segment të qeverisjes.

Demokrati i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme të hetojë me përgjegjshmëri personat realisht përgjegjës për këto abuzime dhe vjedhje në kurriz të qytetarëve.

“Korrupsioni, abuzimi me detyrën dhe shpërdorimi i fondeve publike, për klientë të parazgjedhur të Qeverisë së Edi Ramës është fenomen i shtrirë kudo në çdo segment të qeverisjes. Ai ka marrë tashmë tiparet e një modeli të përgjithshëm qeverisje që ka dëmtuar rëndë interesin publik.

Korrupsioni me kontratat publike në shëndetësi nuk është i izoluar vetëm tek koncesioni i sterilizimit. Ai shtrihet nga koncesioni i check-up, e deri tek kontratat sekrete për furnizimet në periudhën e pandemisë.

Duke përshëndetur SPAK dhe GJKKO për hapin e parë të hedhur sot për ndëshkimin e korrupsionit në shëndetësi, duhet të gjithë bashkë të nxisim SPAK të hetojë me guxim dhe përgjegjshmëri personat real përgjegjës për këto abuzime. Edi Rama, Ilir Beqaj dhe Ogerta Manastirliu duhet të hetohen e ndëshkohen për miliona euro abuzime e vjedhje në kurriz të shëndetit dhe jetës së qytetarëve.

Askush mbi ligjin duhet të marrë formë çdo ditë pak nga pak, derisa të shndërrohet në model të drejtësisë që presin dhe duan qytetarët”- shkruan Bardhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA