Wagner regjistrohet si një organizatë edukative, mercenarët rusë me seli në Bjellorusi

16/08/2023 18:25

Grupi mercenar rus Wagner është regjistruar në rajonin bjellorus Mahilju si “organizatë edukative”.

Sipas faqes Regjistri Shtetëror për Kompani dhe Sipërmarrësit Individual të Bjellorusisë, Wagner është regjistruar zyrtarisht më 4 gusht si kompani e kufizuar, dhe e përfshirë në “aktivitete edukative”, me seli në Tsel.

Fshati mendohet se është i njëjti me atë ku janë u vendoswn trupat e grupit mercenar rus në Bjellorusi, pas ndërprerjes së rebelimit në Rusi më 23 dhe 24 qershor.

Muajin e kaluar, lideri i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, publikoi një video nga territoret bjelloruse, duke i mirëpritur luftëtarët e tij, teksa theksoi se ata do të ndihmojnë në shndërrimin e ushtrisë bjelloruse në ushtrinë e dytë më të mirë në botë.

Ende nuk dihet saktësisht se çfarë do të ndodhë me Prigozhinin dhe trupat e Wagnerit, ku me anë të një rebelimi arritën të tregonin kërcënim në pushtetin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Lideri autoritar i Bjellorusisë, aleati i ngushtë i Putinit, Alexander Lukashenko, është përfshirë në bisedime për t’i dhënë fund rebelimit, duke ndërmjetësuar marrëveshje mes Putinit dhe Prigozhinit për t’i pranuar Wagnerin dhe drejtuesin e saj në Bjellorusi.

Prigozhin dyshohet se ka qenë disa herë në Rusi që prej ditës së rebelimit dhe besohet se është duke lëvizur në mes të dy shteteve.

Top Channel