Ministria e Shëndetësisë në Kosovë njoftoi se ka një rritje shqetësuese të rasteve me meningjit, sidomos tek të rinjtë.
Raportet e fundit dëshmojnë një shtim të ndjeshëm të të prekurve nga sindroma meningeale gjatë muajit korrik-gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe pse kjo sëmundje mund të prekë, këdo, ka sërish disa grupmosha që konsiderohen më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja duke qenë se sistemi imunitar tek foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar sëmundjen.
Shkaktar i sindromës meningeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë edhe pishinat, apo uji i pijshëm, për të cilat ministria kërkon kontroll të shtuar.
Në njoftimin e saj sqarohet se simptomat e meningjitit, janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen brenda një kohe shumë të shkurtër. Ato përfshijnë të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, ftohje të gjymtyrëve, skuqje të lëkurës.
Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit dhe trajtohet vetëm në spital.
Top Channel