Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kosovë, e ka përjashtuar të martën nga partia Besnik Mujecin, i cili është arrestuar në Shqipëri nën dyshimet për shpërndarje droge.
Mujeci, 40-vjeçar është asamblist i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Të martën, autoritetet shqiptare kanë thënë se Mujeci është në mesin e pesë të arrestuarve, të cilët dyshohen se kanë shpërndarë drogë të llojit ekstazi në lokalet e e natës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pasi kanë trafikuar lëndë narkotike nga Kosova në Shqipëri.
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka thënë pas përjashtimit të Mujecit se njerëz të tillë “nuk kanë vend në Lëvizje”.
“Komisioni Disiplinor mori vendim për përjashtimin e Besnik Mujecit nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Veprimet për të cilat është arrestuar Besnik Mujeci janë krime të rënda dhe institucionet e drejtësisë duhet ta marrin dënimin e merituar!”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.
Sipas autoriteteve të Shqipërisë, vlera e drogës me të cilën janë kapur të dyshuarit shkon në 400 mijë euro.
Të arrestuarit e tjerë janë Mithat Ramadani 30 vjeç, banor i Prishtinës, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banorë të Tiranës.
Të dyshuarit janë kapur me një dërgesë me lëndë të dyshuar narkotike prej 11.300 tabletave ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kilogramë.
Top Channel