Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka rekomanduar rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij sikurse edhe të kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave, që duhet të jetë i përhershëm.
IKSHPK në njoftimin për mediat thotë se nga institucionet shëndetësore të gjitha niveleve kërkohet raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshuara në infeksione, si Sindroma meningjeale apo të tjera.
Reagimi i plotë:
Me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të infeksioneve të ndryshme karakteristike për stinën e verës, dhe në veçanti parandalimin e infeksioneve që përhapen në ambientet ku ka grumbullim të qytetarëve, si pishinat publike dhe private, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës rekomandon rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij sikur edhe të kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave, që duhet të jetë i përhershëm.
Ndërkohë, nga institucionet shëndetësore të gjitha niveleve kërkohet raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshuara në infeksione, si Sindroma meningjeale apo të tjera.
IKShPK ka shtuar gatishmërinë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme ngjitëse, marrë parasysh faktin se numri i rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar rritje.
Sindroma meningjeale (grup i simptomave që tregojnë për ndezje të cipave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore) më së shpeshti shkaktohet nga një proces inflamator për shkak të infeksioneve bakteriale ose virale. Si rrugë e mundshme e infeksionit mund të jenë vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.
IKShPK rikujton institucionet shëndetësore se bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë (LNR: 02/L-109), raportimi i sëmundjes dhe hulumtimi është i obliguar në rast të epidemisë apo rrezikut për shfaqje të saj.
Rekomandime:
• Kontrollimi dhe klorizimi i ujit për pije duhet të jetë i vazhdueshëm;
• Kontrollimi dhe klorizimi i ujit të pishinave duhet të jetë i përhershëm;
• Mirëmbajtja dhe pastrimi i rregullt i pishinave familjare;
• Raportimi i sëmundjes dhe hulumtimi është i obliguar në rast të epidemisë apo rrezikut për shfaqje të saj;
• Konfirmimi laboratorik dhe njohja e shkaktarit e domosdoshme;
• Raportimi i menjëhershëm (brenda 24 orëve) i rastit të vdekjes nga Meningjiti nga spitali, klinika, etj.
• Edukimi shëndetësor i popullatës mbi masat e përgjithshme parandaluese;
• Komunikimi me media dhe informimi i popullatës;
• Shpërndarja e informatave në të gjitha nivelet dhe partnerët relevantë;
• Promovimi dhe edukimi shëndetësor në institucionet parashkollore dhe shkollore;
Top Channel