Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku iu përgjigj me tone ironike promovimit që i bëri në Tetovë shefi i ekzekutivit kosovar Albin Kurti idesë së lidhjes së turizmit malor mes saj dhe Prizrenit, përmes një rruge të re, të cilën e përshkroi si tejet të rëndësishme dhe që ndihmon në zhvillimin e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.
Abidixhiku i kujtoi se më parë, duhet të mendojë për rrugët e papërfunduara.
“Po mbyllin vitin e tretë në Qeveri, por nuk kanë mbyllur dot asnjë rrugë të vetme në gjithë Kosovën. As atë për në Mitrovicë, as atë për në Podujevë, as për në Pejë, as për në Gjilan e as për në Gjakovë. Qytete të tëra të lëna në harresë prej tre vitesh! Qytetarë të tërë të keqtrajtuar çdo ditë. Projekti i vetëm i madh madhor që ndodhë sot në vend është ai i ‘Rrugës A’ në kryeqytet, aty ku Qeveria qendrore – fatmirësisht – nuk ka asnjë rol”, tha Abidixhiku në një postim në Facebook.
Lideri i LDK-së e nënvizoi se qeveria Kurti vazhdon t’i mëshojë premtimeve për rrugën e kushtueshme Prizren-Tetovë, kur nuk ka bërë ndërkohë asnjë zhvillim infrastrukturor të Kosovës.
Teksa apelonte pak ditë më parë për ndërtimin sa më të shpejtë të kësaj rruge, Kurti sqaroi se ajo përfshin një tunel prej 6.4 kilometrash, ndërsa në total rruga 15 kilometër do të kushtojë rreth 200 milionë euro.
Top Channel