Të hënën nisi punën edicioni i 41-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
Mbi 100 mysafirë nga e gjithë bota kanë ardhur për të mësuar shqipen në tri nivele.
Temat bosht janë “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”.
Drejtori i seminarit, profesori Bardh Rugova, pati kritika për autoritetet, duke shtuar se ndikimi i seminarit shtrihet në tri fusha, ai kulturor, arsimor e studimor si dhe ai integrues.
“Seminari mundëson shkëmbime kulturore të tjera, mundëson përfaqësime kulturore të albanologjisë në botë dhe përkthime të veprave nga gjuha shqipe në gjuhe të ndryshme të botës. Ndikimi i dytë është arsimore e studimor, pjesa më e madhe e departamenteve të shqipes dhe ballkanistikës në botë drejtohen e udhëhiqen nga nxënës të dikurshëm të këtij seminari.”-shprehet Bardh Rugova.
Rektori i Universitetit të Prishtinës Qerim Qerimi e ka vlerësuar si ngjarje të madhe seminarin e përvitshëm.
“Ky seminar kësisoj konsiderohet një dritare e hapur e lidhjes së albanologjisë me botën e jashtme, është ura e krijimit të miqësive dhe e marrëdhënieve dhe marrëveshjeve të reja, është auditoriumi ku janë paraqitur shumë rezultate të rëndësishme shkencore dhe janë diskutuar e shqyrtuar e testuar tema të mëdha që kanë të bëjnë me gjuhën, letërsinë dhe kulturën dhe të kaluarën e saj monumentale”
Në ceremoninë e hapjes së seminarit ishte e pranishme edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagaci, që u shpreh se seminari është platformë e qëndrueshme për evidentimin dhe promovimin e vlerave tona gjuhësore, letrare e kulturore.
“Impakti i seminarit bëhet edhe më i qartë kur shohim pjesëmarrësit dhe ligjëruesit që marrin pjesë nga viti në vit në këtë seminar duke u bashkuar të gjithë ata që kontribuojnë jo vetëm në trevat shqiptare por edhe ato të banuara me shqiptarë.
Pjesëmarrës ishte edhe, ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, që për të pranishmit foli për rëndësinë e gjuhë, në gjuhën shqipe.
“Në një epokë të karakterizuar nga globalizmi dhe përparimet teknologjike rëndësia e ruajtjes së gjuhëve dhe nxitjes së shkëmbimit kulturor nuk ka qenë kurrë më kritike. Gjuha shqipe me origjinë të saj të lartë dhe veçoritë gjuhësore unike është një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së një populli”
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë dhe organizohet për studentët e studiuesit që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare.
Top Channel