Ndryshe nga kategoritë e tjera të dala nga lufta, viktimat e dhunës seksuale nuk kanë përfitime.
Për shkak të procedurave për ruajtjen e identitetit, viktimat nuk mund të gëzojnë benificionet që u garantohen me ligj.
“Të mbijetuarat e dhunës seksuale deri më sot e gëzojnë vetëm pensionin personal, për faktin që e kanë të vështirë apo pothuajse të pamundur që të realizojnë të drejtat e tjera në nivel lokal, nivel të komunës që ato njihen me emër dhe mbiemër, ju njihen familjarët e tyre. Vetëm e vetëm për të mos shpalosur veten dhe të pësojë jo vetëm ajo, por edhe familja, ato nuk shkojnë për të përfituar të drejtat e tyre ashtu siç parashihen me ligj”- tha Feride Rushiti – Qendra Kosovare për Rehabiilitimin e të Mbijetuarve të Torturës
Nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës thonë se pajisja me kartela identifikimi do t’u mundësonte viktimave të dhunës seksuale përfitimet e tjera.
“Është menduar që të mbijetuarat e dhunës seksuale me pas një ID ku ato dalin në fund si viktima civile. Pra, mos të shpaloset statusi i tyre si viktimë e dhunës seksuale, për faktin që ende në familje ekziston stigmatizimi edhe në mënyrën se si e trajtojnë këtë plagë të luftës”– tha Feride Rushiti – Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës
Me mungesë të këtij dokumenti, të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk mund të përfitojnë as në nivel lokal e as qendror, për shkak të frikës se mos dikush i identifikon.
“Mund të them me bindje të plotë edhe prej përvojës edhe prej gjitha kërkesave që i kemi këtu në organizatë, që të mbijetuarat e dhunës seksuale në qoftë se nuk kartelizohen dhe nuk fillon ky proces që ne jemi duke avokuar, nuk munden asnjëherë të shkojnë pranë institucioneve apo strukturave lokale për të përfituar”– tha Feride Rushiti – Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës
Tutje nga QKMRT bëjnë me dije që, gratë e burrat e Kosovës të cilët janë dhunuar seksualisht gjatë luftës, nuk gëzojnë shërbime shëndetësore falas brenda vendit.
Kjo qendër po avokon që viktimat e dhunës seksuale të fitojnë edhe shërbime shëndetësore jashtë vendit, përparësi në punësim në ndërmarrjet e sektorit publik dhe privat, lirimi nga tatimi në pronë, përkujdesja për banim dhe përparësi për realizimin e të drejtës në strehim familjar.
Top Channel