Teksa në Maqedoninë e Veriut janë shtuar debatet dhe kritikat në mesin e partive politike maqedonase dhe zyrtarëve më të lartë shtetërorë pas qëndrimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të premten në Çair të Shkupit dhe në Tetovë, ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se Kurti në këto dy komuna ka shkuar me ftesë të kryetarëve, duke përmendur edhe mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në shtator të vitit 2021.
“Vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut u bë me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me rastin e ri-emërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të rrugës që lidhë fshatin Vicë me fshatin Sellcë. Në mes të muajit qershor, po ashtu me ftesë kryeministri Kurti kishte marrë pjesë në Forumin e Prespës, në Strugë, në kuadër të së cilit ai kishte zhvilluar takime edhe me zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkaq që sa i përket nivelit të marrëdhënieve ndërshtetërore, ne kujtomë që dy qeveritë për të herë të parë kishin mbajtur një mbledhje të përbashkët në shtator të vitit 2021, si rezultat i marrëdhënieve të mira dhe interesave të përbashkëta. Komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt”, ka thënë ai.
Ai i është përgjigjur edhe presidentit të Serbisë, i cili ka deklaruar se “Kurti në Tetovë promovoi ‘Shqipërinë e Madhe’”.
“Siç duket Vuçiq është nisur nga vetja e tij, insistimi në ‘Serbi të Madhe’ edhe pas katër luftërave të humbura me emrin ‘Bota serbe’, dhe na akuzon neve kot”, vijoi ai.
Ndryshe, faktorët politikë maqedonas e shikojnë si nacionaliste paraqitjen e Kurti, gjatë fjalimit të të cilit, para mijëra përkrahësve në Tetovë, shfaqej publikisht një flamur i “Shqipërisë së Madhe”./KosovaPress
Top Channel