Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë dhe Cair ka nervozuar Shkupin dhe Beogradin.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kryer një vizitë joformale në Tetovë ku ka takuar vetëm përfaqësuesit e dy partive opozitare.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka dënuar faktin që brenda territorit të tyre është organizuar një manifestim në të cilin nuk është kënduar himni i Maqedonisë dhe nuk është vendosur flamuri kombëtar i Maqedonisë. Për këtë ka reaguar ashpër edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili ka kërkuar që ligji të veprojë mbi organizatorët e këtij takimi.
“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. I bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë t’i kryejnë procedurat e parapara”.
Nervozizmi ka qenë më i madh në Beograd, aty ku presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e quajti vizitën një skandal në të cilin sipas tij Albin Kurti promovoi idenë e “Shqipërisë së Madhe”.
“Ajo që ndodhi në Maqedoninë e Veriut ishte skandal i skandaleve. Aty u promovua ideja e ‘Shqipërisë së madhe’, u theksuan simbolet e saja, e Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe kryeministër i Tetovës, ndër të tjera”, tha Vuçiç në reagimin e tij.
Top Channel