Vullnetarët në Hungari mbledhin tonelata mbeturinash në lumë

12/08/2023 19:11

Vullnetarët në Hungari po mbledhin mbeturinat nga lumenjtë hungarezë.

Në garën, “Kupa e Plastikës,” vullnetarët po përpiqen të ndërpresin ciklin e ndotjes së oqeaneve. Në dekadën e fundit, që kur filloi ky aktivitet vjetor, janë mbledhur më shumë se 330 tonë mbeturina nga ujërat e Tisës dhe lumenjve tjerë në Hungari.

Vullnetarë po lundrojnë nëpër ujërat e lumit Tisa, lumit të dytë më të madh në Hungari, në kërkim të mbeturinave. Për t’i gjetur ato, nuk iu duhet të kërkojnë shumë.

Rreth një ton mbeturina u mblodhën nga kanalet dhe brigjet e lumit gjatë një dite të vetme.

Vullnetarët janë pjesë e një gare dhjetë ditëshe, të cilës iu përgjigjen mbi 150 persona.

Pjesëmarrësit në varka heqin mbeturinat nga lumi Tisa, që kanë lundruar nëpër rrjedhën e lumit dhe pastaj kanë mbetur mes gurësh, drunjsh dhe degë pemësh.
Që nga viti 2013, kur filloi aktiviteti vjetor “Kupa e Plastikës”, që ofron shpërblim për ekipin që mbledh sasinë më të madhe të mbeturinave, janë mbledhur më shumë se 330 tonë mbeturina nga ujërat e Tisës dhe lumenjve tjerë në Hungari.

Sipas drejtorit të garës, Zsolt Tamas, përpjekja për pastrimin e lumit nuk bëhet vetëm për të përmirësuar dhe ruajtur natyrën e Hungarisë, por për të ndërprerë ciklin e ndotjes së oqeaneve te burimi i saj.

“Burimi më i madh i ndotjes në botë janë lumenjtë. Mbeturinat nga lumenjtë, përmes deteve, kalojnë në oqeane, ku rrymat ujore i grumbullojnë në një ishull të madh oqeanik,” thotë ai.

Thirrjet për të zgidhur krizën e ndotjes nga lëndët plastike janë bërë më urgjente gjatë viteve të fundit. Studimet tregojnë se ndotja përbën rrezik serioz për ekologjinë dhe shëndetin e njeriut.

Hulumtimi i cituar në raportin e këtij vititi të Agjencisë së OKB-së për Mjedisin, UNEP , thotë se copëza mikroskopike të lëndëve plastike janë gjetur “në gropat më të thella të oqeaneve, në akullnajat më të paprekura të maleve, në qumështin e gjirit dhe trupin e njeriut.”

Sipas OKB-së, 75 për qind e mbeturinave plastike e ka gjenezën në mbeturinat e ngurta në nivelin komunal, një sasi e madhe e të cilave gjejnë rrugën në kanale ujore si puna e Tisës dhe pastaj kalojnë në oqean, duke kontribuar në degradimin e mjedisit dhe shkatërrimin e biodiversitetit.

“Nëse arrijmë të parandalojmë këtë problem të përmasave globale në lumenj, atëherë më pak mbeturina do të depërtojnë në oqeane. Mund të themi, që po e zgjidhim problemin në fillesat e tij,” thotë zoti Tamas.

Ai thotë se është tronditëse të shohësh sasinë e mbeturinave plastike përgjatë lumit, por po ashtu ka hasur në momente të mira.

“Të thyhet zemra kur i sheh këto grupe mbeturinash të lundrojnë nëpër tërë këtë sipërfaqe, por në një moment, kthen kokën pas dhe sheh një pyll të bukur përgjatë lumit, me bimë, zogj, insekte dhe çdo gjë tjetër që e ka vendin aty. Pasi e përfundojnë punën, nuk ka më shishe plastike në ujë. Kështu do të duhej të dukej e tërë Tisa,” thotë ai.

Njëra nga vullnetarët, 23 vjeçarja Ester Hoszu, që po merr pjesë për herë të parë në “Kupën e Plastikës”, është e shqetësuar për të ardhmen.

“Me të vërtetë, është për t’u habitur sa shumë mbeturina gjetëm. Fillimisht, kur po lundronim përgjatë lumit, nuk pamë shumë, por pastaj erdhëm te një pjesë më e ndotur dhe ishte për t’u habitur sa shumë mbeturina kishte gjithandej,” tha ajo.

Vullnetarja Hoszu beson që secili ka përgjegjësi.

“Mbrojtja e ambientit duhet të jetë shqetësim i të gjithëve. Është e rëndësishme që të kontribuojmë për të bërë mjedisin më të jetueshëm në të ardhmen. Dhe secili duhet të angazhohet për këtë gjë.”

“Kupa e Plastikës” është rritur viteve të fundit dhe vullnetarët tani mbledhin mesatarish 70 tonë mbeturina nga lumi Tisa çdo vit. Ky grup llogarit se ka larguar gati 4 milionë shishe plastike nga ujërat hungareze.

Por, sipas inxhinierit ambjentalist Gergeli Hanko dhe udhëheqësi të projektit Kupa e Plastikës, vullnetarët nuk mund të arrijnë tek shumë nga mbeturinat.

“E dimë që plastika e përpunuar ka pasoja të dëmshme. Mund të hyjë në gjak, mund të depërtojë tek uji i pijes, shkon gjithandej, përfshirë në trupin e kafshëve,” thotë ai.

Sipas zotit Hanko shumica e ndotjes në Tisa vjen nga Ukraina. Vitin e kaluar, “Kupa e Plastikës” ka ndihmuar autoritetet për menaxhimin e mbeturinave në Ukrainë, në përpjekje për të zgjidhur problemin tek burimi i tij. Rreth 700 tonë mbeturina janë mbledhur me këtë rast në pjesën ukrainase të lumit Tisa dhe ky grup tani po bashkëpunon me grupe të tjera në Serbi, Rumani dhe Bullgari.

“Qëllimi ynë afatgjatë nuk është të mbledhim mbeturina, por të organizojmë turne me lundra,” thotë ai.

Top Channel