BE “shton pretendimet” ndaj Kosovës: ‘Ok’ largimi i policisë, por presim hapa të tjerë!

10/08/2023 10:51

Bashkimi Europian e përshëndeti reduktimin e pranisë policore nga objektet në veri si një hap të duhur përpara, por sipas Brukselit nevojiten edhe hapa të tjerë në kuadrin e përpjekjeve për shtensiomin e situatës në veri të Kosovës.

“BE-ja e mirëpret njoftimin e fundit nga Qeveria e Kosovës për një reduktim të mëtejshëm prej 25% të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Vendimi është marrë pas takimit të nivelit teknik në mes të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, me qëllim përcaktimin e parametrave të përbashkët për vlerësimin e situatës së sigurisë në komunat veriore. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen e BE-së për mediat vendase. Qeveria e Kosovës ka filluar iniciativën ligjore për largimin e kryetarëve të komunave veriore, që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Largimi i kryetarëve pritet te realizohet përmes peticioneve. Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje. Diplomacia perëndimore që atë kohë është vënë në përpjekje për uljen e tensioneve ndërsa ka ndëshkuar Kosovën për mungesë bashkërendimi.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rrahman Paçarizi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se mungesa e bashkërendimit me aleatët perëndimorë ka bërë që Kosova të identifikohet si palë destruktive.

“Ne mund të mos e kishim pasur fare një situatë të tillë sikur kryeministri i Kosovës të ishte bashkërenduar me aleatët ndërkombëtarë ashtu që kryetarët të mos dërgoheshin fare në ndërtesa nga të cilat tash duhet të largohen, që njësitë e posaçme të policisë të mos kishte nevojë të dërgohej fare, dhe tash në vend të asaj ne duhet ta kthejmë situatën në pikën zero, në pikën nga e cila kemi mundur të mos lëvizim fare pa i dëmtuar marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe nëpërmjet bashkërendimit të gjendeshin zgjidhje të tjera të cilat tash ne po i kërkojmë dëshpërueshëm”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA