Ndalimi i fëmijëve në klubet e natës, qeveria e Kosovës miraton udhëzimin

09/08/2023 14:11

Qeveria e Kosovës ndau 254 mijë euro për Luginën e Preshevës për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2023-2024.

Ekzekutivi miratoi edhe Udhëzimin Administrativ për masat e duhura parandaluese dhe mbrojtëse për ndalimin e pjesëmarrjes se fëmijëve në klubet e natës dhe hapësirat të tjera të ngjashme. Ndërkaq, dritën e gjelbër i dha edhe Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe GIZ-it gjerman për projektin për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit te bujqësisë në zonat rurale.

Kryeministri Albin Kurti tha se ndihma për qytetarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është jo vetëm nevojë për edhe obligim i tyre.

“Ndihma jonë për bashkëkombësit tanë është jo vetëm nevojë por edhe obligim i yni që të mbrojmë të drejtat e tyre elementare. Për këtë propozoj që të aprovojmë kërkesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe të ndajmë mjete në shumën 254 mijë e 562 euro e 30 cent për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptar që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, tha ai.

Krahas kësaj, Kurti tha se mbrojtja e fëmijëve nga pjesëmarrja në klubet e natës synohet të arrihet përmes krijimit të mekanizmave dhe ndarjes së përgjegjësve ndërmjet policisë dhe pronarëve të bizneseve.

“Me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve nga pjesëmarrja në klubet e natës dhe hapësirat e ngjashme, të cilat mund të cenojnë jetën, dinjitetin dhe mirëqenien më të mirë të fëmijëve po e bëjmë këtë udhëzim administrativ. Kjo synohet të arrihet përmes krijimit të mekanizmave dhe ndarjes së përgjegjësive dhe obligimeve, ndërmjet policisë, shërbimeve sociale dhe autoriteteve publike, prindërve, kujdestarëve, pronarëve të bizneseve dhe personave përgjegjës”, tha ai.

Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se rreth 20 milionë euro do të përdoren për diversifikimin e aktiviteteve bujqësore, në kuadër të marrëveshjes ndërkombëtare me GIZ-in gjerman.

“Këto mjete do të përdoren për diversifikimin e aktiviteteve bujqësore si turizmi rural, ekoturizmi, zehet tradicionale, përpunimi në fermë, përpunimi i energjisë së rinovueshme si dhe sektori i agropërpunimit dhe sektorit të zhvillimit”, theksoi ai.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës miratoi nismën për negocimin e marrëveshjes së grantit në vlerë 9.5 milionë euro për sistemin e ujitjes. U miratua edhe koncept dokumenti për fushën e mbikëqyrjes së tregut. Gjithashtu, qeveria miratoi edhe programin për diplomaci qytetare 2023-2025, qëllimi kryesor i të cilit është të forcojë lidhjet e diasporës me institucionet e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA