Numri i pushuesve që paraqesin shqetësime shëndetësore është shtuar ndjeshëm në këtë sezon.

Në qendrën shëndetësore verore të plazhit të vjetër në Durrës çdo ditë paraqiten rreth 70 raste, shumë prej të cilave me simptoma të virozave stinore.

“Ka një numër të rritur, një fluks që shihet dhe te turistët që vijnë dhe zakonisht janë gastroenterite, po dhe patologji të tjera, sic janë reaksionet alergjike, po numri i gastroenteriteve është më i lartë në këtë stinë”, thotë mjekja e QSHV-së Keti Hoxha.

Në qendrat shëndetësore të ngritura pranë plazheve rezulton se grupmoshat më të prekura nga virozat e stinës janë fëmijët dhe të rinjtë.

“Nuk e di po fëmijët patën pak të vjella mbrëmë dhe dhembje fyti e barku“, thotë një turist italian. “Më merrej dhe mendja, po tani ndjehem mirë“, tregon djali i tij.

Ka pasur edhe raste kur mjekët kanë dyshuar për Covid por testi i shpejtë ka dëshmuar se rastet janë kryesisht viroza të stinës. Pavarësisht tyre, pushuesit ndjehen të qetë duke shijuar pushimet buzë detit.

“Tani jemi mirë, por disa ditë më parë kur temperaturat ishin më të larta, 37 gradë dhe djali sapo kishte lindur ishte e vështirë”, shprehet një turiste polake.

Diare, të vjella, temperaturë apo dhembje barku? Në këto raste mjekët këshillojnë vizitën mjekësore dhe trajtimin e duhur, pa harruar pirjen e sa më shumë lëngjeve dhe shmangien e orëve më të nxehta.

Top Channel