Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka reaguar pasi policia kufitare serbe ka ndaluar për rreth një orë këshilltaren e Albin Kurtit, në pikën kufitare Muçibabë.
Aty bëhet thirrje që Serbia të ndalojë diskriminim me baza etnike dhe shtypjen e të drejtave të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Në reagim theksohet se ndalimi i këshilltares së kryeministrit të Kosovës nga policia kufitare e Serbisë, është shkelje rëndë e të drejtës themelore të lirisë së lëvizjes.
“Znj. Sinani është ndaluar dhe mbajtur për gati një orë sot në pikën kufitare pa i dhënë arsye për ndalesën e saj e që për qëllim ka frikësimin dhe maltretimin vetëm për shkak të përkatësisë shqiptare. Kjo sjellje e Serbisë, e cila, përveçse nuk lejon edukimin e lartë në gjuhën shqipe dhe punësimin në institucione publike, përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, atë të lirisë së lëvizjes”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.
Gjithashtu, në reagim përmendet edhe raporti i Komitetit të Helsinkut, ku është theksuar që Serbia po kryen spastrim etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Për të reduktuar sa më shumë numrin e shqiptarëve që jetojnë në jug, shteti po bën të ashtuquajturin ‘pasivizimin e adresave të banimit që u përkasin shqiptarëve’ që punojnë jashtë vendit, qoftë në Evropën Perëndimore apo në Kosovë. Masa është në thelb një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”, citohet në reagim.
Top Channel