Hetuesia në Kosovë ende nuk kanë arritur të lokalizojnë vendndodhjen e Dukagjin Nikollaj – Dukës, i dyshuar për përfshirje në sherrin me armë zjarri në një lokal në qendër të Prishtinës, mesnatën e së premtes.
Duka që është në kërkim edhe nga Byroja Federale e Hetimeve, FBI, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kërkohet për tri vepra penale, vrasje e rëndë në tentativë, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Andi Pajaziti, “Italiani” që është i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare duke marrë trajtim është i dyshuar për vrasje të rëndë, përdorim i armës dhe shkaktim i rrezikut.
Sipas avokatit të tij, Pajaziti gjatë së dielës mbrëma ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri pranë klinikës ku është i shtrirë, deri më tani policia nuk ka dhënë detaje mbi këtë ngjarje.
Ndërkohë, dy të dyshuarit e tjerë, Hisni Gecaj, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gëzim Zakuti janë duke u trajtuar po ashtu në QKUK për shkak të plagëve të marra. Ata dyshohen për veprën penale, pjesëmarrje në rrahje.
Pajaziti, Gecaj dhe Zakutit u është caktuar masa sigurisë, një muaj paraburgim.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka përshkruar ngjarjen. Sipas institucionit, përleshja fizike ka ndodhur mes dy grupeve, Andi Pajazitit dhe Gëzim Zakutit në njërën anë dhe Dukagjin Nikollajt, Hisni Gecajt dhe Kastriot Ramadanit, që vdiqa nga plagët e marra.
Prokuroria thotë se edhe një person tjetër ishte i përfshirë, por nuk ka arritur ta identifikojë ende.
Sipas hetuesisë, në një tavolinë ishin duke qëndruar Dukagjin Nikollaj, Kastriot Ramadani dhe personi që nuk është identifikuar, kur në afërsi të tyre kanë ardhur Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti. Kjo ka bërë që palët të nxjerrin armët.
Prokuroria thotë se fillimisht Pajaziti dhe Nikollaj kanë filluar të përleshen, më pas ka ndërhyrë Kastriot Ramadani duke e goditur Pajazitin me shishe në kokë. Kështu, ky i fundit ka nxjerrë armën dhe ka shtënë në drejtim të Ramadanit, pastaj Nikollaj ka gjuajtur në drejtim të Pajazitit.
Përpos të dyshuarve, nga arma e zjarrit mbetën të lënduar edhe katër qytetarë që ishin në lokalin në fjalë, ndërkaq 13 të tjerë nga xhamat e thyera.
Top Channel