Një person ka humbur jetën orët e para të mëngjesit për shkak të plagëve të marra me armë zjarri, në një lokal në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka. Sipas tij, viktima, 39-vjeç, nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra në pjesën e barkut.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e vona të mbrëmjes, në rrugën “Rexhep Luci” në Bonvivant, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur 21 persona, 4 prej tyre me armë zjarri dhe 17 të tjerë nga thyerja e gotave dhe qelqeve.
Nuk dihen ende shkaqet e sherrit mes personave, e cila agravoi deri në përplasje fizike dhe shkrepje arme.
Të lënduarit po marrin trajtmin e nevojshëm mjekësor, ndërsa katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë).
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe njësia K-9, në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku.
Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati.
Top Channel