“Luftë” me armë në Prishtinë/ 21 të plagosur pas sherrit, viktimë ish ushtari i TMK-së

05/08/2023 13:15

Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e vona të mbrëmjes në një lokal në qendër të Prishtinës, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur 21 persona, ndërsa ka ndërruar jetë Kastriot Ramadani, ish ushtar i TMK-së.

Sipas policisë, 4 prej tyre janë lënduar me armë zjarri, ndërsa 17 të tjerë si pasojë e thyerjeve të gotave ose shisheve prej qelqi. Dyshohet se shumica prej të lënduarve janë femra.

39-vjeçar nuk mundi t’i mbijetojë plagëve me armë zjarri të marra në zonën e barkut.

Sipas Shërbimi Spitalor të Kosovës, numri total i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ishte 17, ku prej tyre, 7 janë të lënduar me armë zjarri dhe 10 me mjete të mprehta.

Viktima

“5 persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë. Prej tyre, 4 janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të gjithë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e spitalit.

Ende nuk dihen ende shkaqet e sherrit mes personave, që agravoi deri në përplasje fizike dhe shkrepje arme.

“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Të plagosurit janë duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK. Mes tyre janë katër të dyshuar, si të përfshirë në këtë rast, ndërsa pritet identifikimi i personave të tjerë. Sipas burimeve një i dyshuar mashkull gjendet në arrati.

Policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera hetimore.

Në vendin e ngjarjes janë njësitë policore dhe njësia K-9, ku janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku, për zbardhje të plotë të këtij rasti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA