Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, në dy operacioneve të ndara në dy ditët e fundit.
I dyshuari me inicialet Zh.Z., u arrestua të shtunën në mesditë në fshatin Lubozhadë në Istog, njoftoi Policia e Kosovës në një komunikatë për media më 5 gusht.
Ai dyshohet për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Komunën e Istogut.
“Gjatë kohës së luftës në Kosovë në vitin 1998-1999 ka pasur pozitën e komandantit të Nën Stacionit Policor në fshatin Rakosh të Komunës Istogut. I njëjti është sjell në zyrat e DHKL-së ku pritet të intervistohet në cilësi të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Arrestimi i 69-vjeçarit të shtunën vjen vetëm një ditë pasi hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës e prangosën një të dyshuar tjetër të premten në pikën kufitare në Merdare.
“Këto hetime kanë qenë të përqendruara rreth zbulimit të autorëve të krimeve të kryera në periudhën 1998-1999 në rajonin e komunës së Istogut. Në vazhdën e angazhimeve hetimore është arritur të mblidhen dëshmi dhe prova për krimet dhe kryesit e këtyre veprave penale”, thuhej në njoftimin e Policisë të premten.
Policia tha se hetuesit policorë kanë pranuar dhe përpunuar informata të shumta operative në drejtim të identifikimit, vendndodhjes dhe lokalizimit të të dyshuarit, aktivitetit dhe lëvizjeve të tij, në dhe jashtë territorit të Kosovës, para se ta arrestonin të dyshuarin me inicialet M.P., në pikën kufitare me Serbinë.
“Nga bashkërendimi i aktiviteteve është bërë e mundur të identifikohet një i dyshuar për krime lufte, i cili në kohën e luftës 1998-1999 ishte krye-shef i milicisë në Istog. I dyshuari M.P… me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.”
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka reaguar ndaj arrestimit të M.P., duke e kundërshtuar vendimin e autoriteteve kosovare.
Ai e zbuloi identitetin e të arrestuarit të parë, duke e emëruar si Momir Pantiç, dhe tha se “dje, ai duhej t’i merrte dokumentet në lidhje me pronën e tij në Istog, por në vend të kësaj u arrestua dhe u dërgua në Prishtinë”.
Pantiq besohet se pas luftës është zhvendosur nga Istogu dhe ka jetuar në Mladenovac të Serbisë.
“Prishtina i arreston serbët nën pretekstin për krime lufte dhe i paragjykon ata, duke u dërguar atyre mesazh të qartë se as nuk janë të mirëseardhur e as të dëshiruar në vatrat e veta shekullore”, tha Petkoviç./REL
Top Channel