Balla takim me strukturat e Policisë në Dibrës: Goditje kirurgjikale deri në çrrënjosje, fenomenit të dhunës në familje

03/08/2023 13:56

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, deklaroi gjatë takimit me strukturat drejtuese të Policisë Vendore në Dibër, se parandalimi dhe goditja e ashpër e fenomenit të dhunës në familje do të jetë prioritet në detyrën e tij.

“Çdo ditë në këtë detyrë do të bëj çmosin që Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, të ngrihet në nivelin e pritshmërisë shoqërore të një vendi europian, për goditjen kirurgjikale deri në çrrënjosje të dhunës në familje, ku gratë bien viktimë e barbarisë së burrave. Çdo grua, çdo vajzë duhet të fitojë besimin absolut se telefonata apo denoncimi i saj për ndihmë tek Policia e Shtetit është hapi i duhur jetik, për çlirimin nga makthi përpara se sa të jetë shumë vonë dhe për fitoren mbi padrejtësinë ekstreme të dhunës”, theksoi Balla.

Më tej ai shtoi se Policia dhe jo vetëm, duhet të ndryshojë mënyrën e reagimit ndaj këtij fenomeni që mbetet shqetësues.

“Një qasje e re pro-aktive në luftën me këtë fenomen të huaj për kohën, vendin dhe Europën ku jetojmë, do të jetë prioritet absolut në punën tonë të përditshme për qytetarët dhe me qytetarët”, apeloi ministri i Brendshëm.

Gjatë diskutimit me strukturat vendore në Dibër, Balla tha se fenomeni i shpërndarjes së lëndëve narkotike gjithashtu duhet goditur ashpër, pasi ky lloj krimi shkatërron të ardhmen e vendit. Më tej, ai u ndal mbi disa problematika të tjera, siç janë krimet mjedisore, për të cilat tha se duhen trajtuar me shumë prioritet, që nga prerja e pyjeve, shfrytëzimi minerar, si dhe një qasje më e ashpër ndaj armëmbajtjes pa leje.

Gjatë vizitës në Dibër, ministri Balla inspektoi punimet për ndërtimin e godinës së re të Policisë në këtë qark, të cilat janë në fazën përfundimtare.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA