Grushti i shtetit në Niger, vendet evropiane evakuojnë shtetasit e tyre

02/08/2023 21:22

Vendet evropiane po vazhdojnë evakuimin e shtetasve të tyre nga Nigeri.

 Franca, Italia dhe Spanja po evakuojnë shtetasit e tyre si dhe të huaj të tjerë, mes shqetësimeve se ata mund të bllokohen në këtë vend pas grushtit të shtetit të organizuar nga ushtria, që arrestoi presidentin dhe mori kontrollin e vendit.

Uashingtoni ende nuk ka njoftuar për evakuimin e forcave amerikane, diplomatëve, punonjësve të ndihmave dhe shtetasve të tjerë amerikanë që ndodhen në Niger. Ndërkohë, ministrat e mbrojtjes të bllokut rajonal të Afrikës Perëndimore do të takohen të mërkurën për të biseduar rreth grushtit të shtetit të javës së kaluar. Blloku rajonal, i përbërë nga 15 shtete anëtare dhe i njohur me emrin ECOWAS, ka paralajmëruar se do të përdorë forcën për të shtypur puçin ushtarak në Niger dhe për të rikthyer në pushtet Presidentin Mohamed Bazoum.

Por, shtetet fqinje Mali, Burkina Faso dhe Guinea – të qeverisura nga ushtritë që përkrahin puçin në Niger u shprehën kundër.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Afrikën Perëndimore dhe rajonin e Sahelit, Leonardo Santos Simao njoftoi të martën vonë se po bëhen përpjekje joushtarake për të rikthyer demokracinë në Niger.

“Një javë mjafton nëse të gjithë angazhohen me qëllim të mirë, nëse të gjithë duan të shmangin gjakderdhjen”, tha ai. Por shtoi se “disa shtete anëtare po bëhen gati për përdorimin e forcës nëse është e nevojshme.”

Grupi që po mbështetë grushtin e shtetit në Nigeri, me emrin Lëvizja M62, u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit Niamej të “mobilizohen” dhe të bllokojnë aeroportin deri kur forcat e huaja ushtarake ta braktisin vendin.

Zyrtarët amerikanë janë angazhuar që ushtria të heqë dorë nga drejtimi i vendit. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken bisedoi në telefon me presidentin e Nigerit të martën për të shprehur “përkrahjen e tij të palëkundur.”

Tërheqja amerikane nga Nigeri do të rrezikonte investimet afatgjata të Uashingtonit në këtë shtet afrikan, përfshirë bazën e madhe ajrore në Agadez, që ka rol jetik në luftën kundër ekstremistëve të armatosur në Sahara dhe Sahel. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 1,000 trupa ushtarake në Niger dhe ndihmojnë në trajnimin e forcave të Nigerit.

Largimi amerikan nga Nigeri po ashtu rrezikon që ky shtet të bjerë nën ndikimin e Rusisë dhe grupit mercenar Wagner, që tashmë ka prani të rëndësishme në Mali, Republikën Afrikane Qendrore dhe Sudan.

Top Channel