Me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje në bashkëpunim, SPAK dorëzoi të pandehur në Gjykatën Antikorrupsion kryebashkiakun e Himarës, Dhionisios Alfred Beleri,

Pa mbushur tre muaj nga arrestimi i tij për zgjedhjet vendore të 14 majit, prokurorët e posaçëm i thanë gjykatës se tej çdo dyshimi të arsyeshëm Beleri u implikua në shitblerjen e votës.

Për këtë skemë ai bashkëpunoi me Pandeli Kokaveshin dhe sipas SPAK ky dyshim përforcohet nga provat e administruara mes tyre përgjime audio dhe video, këqyrje telefonash dhe deklarime të qytetarëve.

Alfred Beleri thuhet në kërkesën për gjykim i ofroi shtetasit Arsen Rama  shumat monetare prej  50 euro për çdo person që do të gjente me kushtin që ta votonin si kandidat për kryebashkiak të Himarës.

Për këtë punë qytetari Rama do të merrte një shpërblim prej 300 euro. Kryebashkiaku i cili mbahet në paraburgim sipas SPAK ia pagoi paratë e votës Arsen Ramës nëpërmjet të akuzuarit tjetër Kokaveshi, që shfaqet duke paguar tetë kartëmonedha prerje 5 mijë lekëshe.

Pritet që gjyqtari paraprak të vendosë nëse çështja për korrupsion zgjedhor do kalojë për gjykim, apo do t’i kthehet pas SPAK-ut për veprime të mëtejshme.

Sidoqoftë e sigurt është që prokurorët antikorrupsion i kanë kryer të gjitha veprimet dhe me siguri kryebashkiaku i Himarës aktualisht në burg do të përballet shpejt me gjykimin në themel.

Top Channel