Korriku artistik në Durrës është mbyllur me premierën absolute të baletit “Princesha e akullit” i cili u shfaq në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” nga një trupë profesionistësh e baletit ukrainas.
E frymëzuar nga përralla “Mbretëresha e Dëborës” dhe filmi “Frozen”, ky balet klasik vjen si një histori e bukur dashurie që përcjell mesazhin e paqes dhe dashurisë mes njerëzve, pasi vetëm përmes tyre thyhen akujt që nxisin konflikte dhe shkaktojnë luftra.
“Këtu mund të shihni festimet tradicionale dhe zakonet ukrainase, të dëgjoni një muzikë të zgjedhur dhe të merrni mesazhe dashurie. Ishte fat që zgjodhëm Durrësin. Zoti na drejtoi këtu teksa po pyesja veten ku të shkojmë dhe hapa hartën. Asnjëherë më parë s’kemi qenë në Shqipëri dhe u befasuam me mikëpritjen, ngrohtësinë dhe ndihmën që na ofruan. As në vendin tonë nuk do t’i gjenim këto”, tha Iryna Khandazhefskyi, prima balerina.
Me koreografi të Andreas Heise, yjet e trupës së baletit klasik të Ukrainës e përgatitën shfaqjen në një kohë rekord duke dhuruar një spektakël dashurie dhe paqeje, mesazhet e të cilit sfidojnë luftën dhe konfliktet e armatosura.
“Kur dëgjohen vetëm bombardime dhe zhurma predhash e municione, sot patëm mundësi të shohim gjuhën e bukur të artit e paqes. Ishte dëshira dhe forca e zemrës për të performuar në këto kushte e kohëra të vështira”, tha Volodymyr Shkurov, ambasador i Ukrainës në Tiranë.
Nën tingujt e muzikës së Mozartit, Vivaldit, Halvorsen dhe Leontovich, kostumografinë dhe skenografinë në kufijtë e përrallës, premiera u ndoq me interes nga artdashësit e shumtë, mes të cilëve edhe ukrainas e gjermanë, që mbushën sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
“Jam nga Gjermania. Një shfaqje mbresëlënëse. Kaq shumë energji në skenë dhe kaq shumë personalitete. Koreografi e bukur. Erdhëm sonte për shfaqjen, po do të rrijmë dhe 7 ditë të tjera”, tha një shikues nga Gjermania.
Top Channel