Dhjetëra mijëra njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre në Pekin pasi tajfuni “Doksuri”, një nga stuhitë më të forta në vite, solli shira të rrëmbyeshëm në të gjithë vendin duke iu marrë jetën 4 personave. Sinoptikanët paralajmëruan se një tjetër stuhi ishte në rrugë e sipër.
Ashtu si pjesa më e madhe e botës, Kina është duke u tronditur nga ngjarjet ekstreme të motit këtë verë. Valët e të nxehtit përvëluan vendin aziatik më herët se zakonisht, ndërsa tani ata po vuajnë përmbytjet.
Tajfuni i fuqishëm “Doksuri” përfshiu provincën bregdetare juglindore të Fujian në fund të javës së kaluar. Ai erdhi duke u dobësuar teksa “gdhendte” rrugën drejt veriut, por duke sjellë sasi të mëdha shiu në të paktën pesë provinca veriore kineze që nga e shtuna.
Më shumë se 31,000 njerëz u evakuuan nga kryeqyteti kinez që nga mbrëmja e së dielës, raportoi transmetuesi shtetëror CCTV. Gjysmë million banorë të tjerë të Fujian u detyruan të evakuohen nga përmbytjet, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, duke shtuar se dy vdekje ishin shënuar në Pekin nga e hëna. Dy viktima të tjera u regjistruan në provincën verilindore Liaoning, sipas CCTV.
Reshjet në Pekin mund të thyejnë rekorde pasi gati 40 inç shi parashikohet të bien mbi pjesët jugperëndimore të kryeqytetit dhe provincën fqinje Hebei, sipas Administratës Meteorologjike të Kinës të hënën. Reshjet e dendura të shiut pritet të vazhdojnë deri të martën, duke rritur shqetësimet për përmbytje në nivele alarmante dhe rrëshqitjet e dheut.
Nëntë rrethe të Pekinit ishin nën një alarm të kuq për stuhi shiu, më i larti në mekanizmin paralajmërues të vendit, ndërsa sinjali i motit u ul në nivelin e dytë më të lartë në pjesë të tjera. Të paktën 95 paralajmërime të tjera për motin janë lëshuar në të gjithë vendin. Reshjet e forta shkaktuan mbylljen e përkohshme të disa hekurudhave dhe autostradave në kryeqytet, ndërsa shkollat gjithashtu mbetën të mbyllura dhe njerëzve iu kërkua të qëndronin brenda.
“Doksuri” është tajfuni më i fuqishëm ndonjëherë në Kinë dhe stuhia më e fortë që ka goditur Fujianin që nga tajfuni “Saomi” në vitin 2006, sipas CNN Weather bazuar në informacionin paraprak. Stuhia më e afërt dhe më e fuqishme që kaloi pranë Pekinit ishte “Rita” në vitin 1972.
Para se të godiste Fujian, ai kishte vrarë të paktën 39 njerëz në Filipine dhe kishte goditur pjesë të Tajvanit jugor. Shirat përmbytën sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore dhe shtëpish në Fujian, duke shkaktuar gati 60 milionë dollarë dëm ekonomik. Më shumë se 6,333 hektarë tokë bujqësore në Fujian u dëmtuan dhe mbi 151 hektarë pësuan dështim të plotë të të korrave, tha media shtetërore.
Dhe situata nuk duket të normalizohet shpejt. Edhe pse “Doksuri” eventualisht do të zvogëlohet, autoritetet po përgatiten për ardhjen e “Khanun”, tajfuni i gjashtë që parashikohet të godasë Kinën këtë vit.
Parashikuesit presin që baticat e stuhisë të godasin zonat bregdetare të provincës lindore Zhejiang nga e hëna deri të enjten, ndërsa tajfuni “Khanun” po afrohet, duke bërë që autoritetet lokale të aktivizojnë nivelin më të lartë të përgjigjes së urgjencës me katër nivele të hënën.
“Khanun” është duke mbledhur forcë në Oqeanin Paqësor dhe është përmirësuar në një tajfun ekuivalent të kategorisë 3 tha Qendra e Përbashkët e Paralajmërimit të Tajfunit. Parashikohet të afrohet me ishujt jugor të Okinawas të Japonisë gjatë dy ditëve të ardhshme dhe të fillojë një zvarritje të ngadaltë nëpër Detin e Kinës Lindore.
Mbi 200 fluturime të brendshme për dhe nga ishujt Naha, Miyako dhe Ishigaki në Okinawa u anuluan nga e hëna deri të mërkurën, duke prekur afro 30,000 pasagjerë.
Top Channel