Alarmi i kuq është shpallur në jug të Francës pasi temperaturat përvëluese po paraqesin rrezik shumë të lartë nga zjarret, ndërsa vatrat që janë aktive mbeten për momentin nën kontroll.
Administrata Meteorologjike Franceze paralajmëroi se më të rrezikuara janë pyjet dhe zonat me bimësi të lartë. Më pas në radhë vijnë rajone të tjera, të cilat kanë një alarm portokalli në varësi të gjendjes.
Zjarrfikësit ndodhen në gatishmëri, pas disa muajsh trajtime intensive, për situatën e vështirë që pritet të vijë.
Në Kanada zjarret vijojnë të mbeten jashtë kontrollit, ndërsa qytetin Osoyoos dhe rrethinat e tij në provincën e British Columbia është kërkuar evakuimi i menjëhershëm i banorëve.
Në hartën e rrezikut qëndrojnë 732 banesa dhe 130 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Vatra e madhe e zjarrit ka kaluar kufirin nga shteti amerikan i Uashingtonit. Ai ende vijon të djegë mijëra hektarë tokë. Për shuarjen e flakëve po punojnë zjarrfikës dhe helikopterë, por ende nuk ka një përmirësim të gjendjes.
Të dy vendet po përballen me temperatura shumë të larta, duke vështirësuar akoma më shumë gjendjen e zjarreve. Vendet po qëndrojnë në gatishmëri për të paraprirë gjendjen e jashtëzakonshme.
Top Channel