Ministri i Brendshëm, Taulant Balla është nisur për në Drejtorinë Vendore të Policisë së Korçës pas vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Maliq.
Vizita e Ballës në Korçë vjen pas dëshmive të familjarëve se autori i krimit, Gjergji Mullalli, ishte thirrur disa herë në Polici, por asnjëherë nuk ishte proceduar penalisht për dhunën e ushtruar ndaj bashkëshortes.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Zëmblak të Korçës, ku Gjergji Mullalli pas përndjekjes dhe dhunës konstante të ushtruar ndaj bashkëshortes Luiza Mullalli, pavarësisht se ajo posedonte një urdhër mbrojtje, i ka marrë jetën 46-vjeçares dhe trupin e ka hedhur në gropën e ujërave të zeza pranë banesës së saj.
Çifti, në proces divorci, kishte tre fëmijë. Gruaja shkonte shpesh te dy vajzat në Greqi, ndërsa autori jetonte me djalin në Zëmblak në banesën e prindërve të tij. Autori punonte në ndërtim, ndërsa viktima në rrobaqepësi në Korçë. Sipas familjarëve të viktimës autori konsumonte shpesh alkool.
Pas krimit 55-vjeçari është arratisur, dhe pasi u rrethua gjatë ditës së sotme, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë. E tronditur, nëna e 46-vjeçares akuzoi mes lotësh motrën e autorit të krimit, e cila aktualisht jeton në Amerikë, si personin përgjegjës për vrasjen.
Top Channel