Një skaf është bllokuar nga Policia Kufitare e Sarandës pasi rrezikoi jetën e plazhistëve duke shkelur perimetrin e sigurisë.
Shërbimet policore në vijim të kontrolleve përgjatë vijës bregdetare të Sarandës, me qëllim mbarëvajtjen e sezonit turistik, kanë konstatuar skafin në plazhin e Ksamilit duke lundruar brenda zonës së kufizuar për mjetet lundruese.
Për këtë shkelje, drejtuesi i mjetit lundrues u ndëshkua me masën administrative 100 mijë lekë të rinj sepse nuk respektoi zonën e kufizuar për lëvizjen e mjeteve lundruese dhe 10 mijë lekë të rinj, pasi nuk kishte dokumentacionin e nevojshëm në bord.
Vijon monitorimi nga Policia Kufitare, në bashkëpunim dhe me patrullat tokësore, përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe. Policia Kufitare fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.
Top Channel