Dy persona janë arrestuar, dy u proceduan penalisht dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi një konflikt për motive të dobëta degradoi në të shtëna me armë në Himarë.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal në plazhin e Bunecit. Menjëherë pas marrjes së informacionit se disa persona ishin konfliktuar fizikisht dhe kishin qëlluar me armë zjarri në ajër, Policia ka nisur hetimet dhe arrestuar në flagrancë shtetasit:
– N. L., 44 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”.
– E. V., 42 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosja” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”. 42-vjeçari aktualisht ndodhet në spital, në ruajtje nga shërbimet e Policisë, pasi ka pësuar dëmtime fizike gjatë konfliktit.
Po ashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. V., 46 vjeç, për “armëmbajtje pa leje”, “kanosje” dhe “plagosje e lehtë me dashje”. Si dhe, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, për shtetasit N. L., 40 vjeç, dhe A. L., 38 vjeç, të dy banues në Himarë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se kushërinjtë E. V. dhe A. V. janë përplasur fizikisht me vëllezërit N. L. dhe A. L., dhe më pas i kanë kanosur këta të fundit, duke qëlluar me armë zjarri në ajër, në ambientet e lokalit të shtetasit N. L., i cili ka tentuar ta fshehë ngjarjen.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. L. u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë gjahu, ndërsa në banesën e shtetasit E. V., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 krehër arme zjarri pistoletë, 1 shënjestër optike për snajper. Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje janë sekuestruar 1 automjet tip “Audi” dhe 1 aparat celular.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel