Shtëpia e fluturave në kopshtin zoologjik të Londrës është plot me specie të bukura. Këtu në këtë shëmbëlltyrë të habitatit të tyre natyror ato mund të lulëzojnë, larg grabitqarëve dhe kërcënimeve të tjera. Por në botën e egër, jeta është më e vështirë, dhe fluturat po bëhen më të vështira për t’u gjetur.
Ammy Walkden është një vullnetare britanike që ka për mision të ruajë botën e fluturave. Ajo tregon rëndësinë që insektet kanë për jetën njerëzore
“Të kesh një regjistrim vjetor të asaj që mund të gjesh përreth mendoj se është një e dhënë vërtet e mirë shkencore për të kuptuar dhe treguar kërcënimet si ngrohja globale apo shkatërrimi i habitatit. Fluturat janë tregues të rëndësishëm të asaj që po ndodh”– tha Amy Walkden.
Monitorimi zhvillohet gjatë gjithë vitit, por shoqata bamirëse po inkurajon veçanërisht njerëzit që të marrin pjesë në sondazhin e saj “Numërimi i Madh i Fluturave” deri më 6 gusht, duke futur informacione se sa shumë mund të dallojnë në aplikacionin e saj falas.
Të dhënat nga vullnetarët ndihmuan në prodhimin e raportit të fundit të Ruajtjes së Fluturave. Autori kryesor Richard Fox thotë se gjetjet e tij janë alarmante: 80 për qind e specieve janë në rënie dhe fluturat nuk janë më të pranishme mesatarisht në pothuajse gjysmën e zonave që u gjetën 50 vjet më parë.
“Shkaktarët kryesorë të rënies janë ato që ne njerëzit i kemi bërë peizazhit në Mbretërinë e Bashkuar gjatë 50, 60, 70 viteve të fundit. Dhe kështu janë gjëra të tilla si intensifikimi i bujqësisë, që nuk përfshin vetëm kimikatet, pesticidet apo plehrat – por edhe ndryshimet në peizazh.”– tha Drejtori Shkencor, Richard Fox.
Rënia e fluturave dhe insekteve të tjera nuk kufizohet vetëm në Britani, me një studim të vitit 2020 në revistën “Biological Conservation” që vlerëson se numri i insekteve në mbarë botën ka rënë me pesë deri në 10 përqind në 150 vitet e fundit. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tani përfshin numrat e fluturave si një tregues zyrtar të biodiversitetit. Shpresa është që me monitorimin e duhur dhe përpjekjet për të mbrojtur speciet e kërcënuara, rënia e numrit të fluturave mund të fillojë të ndryshojë.
Top Channel