Që nga 22 qershori, aktivisti kundër luftës, Igor Baryshnikov, është në një qendër paraburgimi në enklavën ruse të Kaliningradit, pasi u dënua me shtatë vjet e gjysmë burgim nën akuzat për përhapje të informacioneve “të rreme” lidhur me ushtrinë ruse në Ukrainë.
Baryshnikov, 64 vjeç, që është diagnostikuar me kancer të dyshuar të prostatës, tani po tenton të sigurojë trajtim urgjent shëndetësor, pasi një gjykatë refuzoi lirimin e tij. Avokatja i tij tha se ky vendim i gjykatës është dënim me vdekje për aktivistin dhe nënën e tij të sëmurë.
“Me një vendim, gjykata po vret dy persona: Igorin dhe nënën e tij”, tha për Radion Evropa e Lirë, Maria Bontsler, avokatja e Baryshnikovit.
Një gjykatë në qytetin Sovetsk, afër kufirit lituanez, më 22 qershor e dënoi Baryshnikovin për shpërndarje “të qëllimshme të informacionit të rremë” përmes postimeve në Facebook për ushtrinë ruse, për shkatërrimin e qytetit ukrainas të Mariupolit dhe për mizoritë e forcave ruse në Ukrainë.
Ky ishte dënimi i parë i shqiptuar në këtë enklavë perëndimore për akuza të tilla. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka miratuar disa ligje që penalizojnë përhapjen e informacioneve për ushtrinë pak pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
“Po akuzohem se kam kryer një krim të rëndë. Por, unë nuk kam vrarë askënd, nuk kam grabitur askënd, nuk kam përdhunuar, nuk kam vjedhur asgjë nga askush”, tha Baryshnikov në deklaratën përfundimtare para gjykatës, duke e krahasuar gjykimin e tij me gjyqet e diktatorit sovjetik, Josef Stalin më 1937.
“Këtë e konsideroj represalie politike. Rasti është fabrikuar dhe falsifikuar sikurse më 1937, kur një person është burgosur për dhjetë vjet ose është ekzekutuar nën akuza fantastike”, tha Baryshnikov.
Gjykatësi në gjyqin në Sovetski ka refuzuar kërkesën e Baryshnikovit për lirim për trajtim mjekësor, pavarësisht dëshmive nga doktorët e tij se ai ka tumor në prostatë dhe kateteri që ai përdor janë arsye të mjaftueshme për lirim mjekësor.
“Gjykatësi tha: ‘Ju nuk keni dokumente të mjaftueshme mjekësore’”, tha Bontsler për REL-in.
Bontsler tha se ekipi ligjor i Baryshnikovit planifikon të dorëzojë një peticion te Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara për të siguruar ndihmën mjekësore që ka nevojë klienti i saj. Ajo tha se ekzaminimi që i ka bërë një mjek aktivistit ka gjetur gjurmë të tumorit.
“Për mjekun, nuk ka dyshim që Igori ka kancer. Por, gjykata ka dyshime”, tha Bontsler. “Kur shteti i kundërvihet kështu një personi të sëmurë, thjesht është gjë e ulët. Kjo është e padenjë për një shtet. Por, ne do të luftojmë”.
“Ta dërgosh nënën drejt vdekjes”
Baryshnikov, një aktivist i njohur opozitar në Sovetsk, ka qenë personi i vetëm që është kujdesur për nënën e tij 97-vjeçare, Yegenia, një e mbijetuar e Holokaustit, që vuan nga demenca.
Deri në vitet e fundit, nëna e Baryshnikovit ende e njihte djalin e saj dhe familjarët dhe madje lexonte edhe lajmet në internet. Por, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua pas arrestimit të Baryshnikovit më 2021. Atë vit, ai u arrestua për shkak të pjesëmarrjes në tubimet në mbështetje të liderit opozitar, Aleksei Navalny.
Një infermiere që e ndihmonte për përkujdesjen e Yevgenisë, dha dorëheqje, pasi autoritetet e morën në pyetje për lidhjet e saj me aktivitetet opozitare të Baryshnikovit, tha Bontsler. Gruaja e tij, Lyudmila, tani kujdeset për nënën e tij, fatin e të cilës gjykata dëshironte ta linte në duart e shërbimeve sociale.
“Isha e zemëruar nga vendimi për të transferuar nënën e Igorit te shërbimet tona sociale”, tha miku i Baryshnikovit, aktivisti Vadim Khariullin. “E di shumë mirë se si funksionojnë shtëpitë e pleqve. Është sikur ta dërgosh nënën drejt vdekjes. Dhe nëna e tij është një person interesant, që ka vuajtur nga veprimet e nazistëve”, tha ai për REL-in.
Khairullin vitin e kaluar u dënua me një vit e gjysmë burgim për pjesëmarrje në më shumë se një protestë të pasanksionuar në një periudhë brenda 180 ditësh. Ai u lirua më 22 qershor, po të njëjtën ditë që Baryshnikov u shpall fajtor. Ai shkoi direkt në Sovetsk për të dëgjuar vendimin e gjykatës.
“E vlerësova të nevojshme që të isha aty – sepse mund të mos e shoh më këtë person”, tha Khairullin. “Jam i zemëruar me faktin që njerëz në një gjendje të tillë fizike dënohen me burgim për gjëra të tilla. Ata kanë shkruar diçka në internet. Ata do të mund të dënoheshin me burgim shtëpiak apo me ndonjë ndalesë për përdorimin e internetit”.
“Ka shpëtuar paq”
Prokurorët kanë kërkuar nga gjykata që Baryshnikov të dënohej me tetë vjet burgim. Gjykata në rajonin e Kaliningradit tha përmes një deklarate se aktivisti u dënua me shtatë vjet e gjysmë burgim – vendim që ende nuk ka hyrë në fuqi – duke marrë parasysh të gjithë faktorët, përfshirë edhe shëndetin e tij.
Sipas një mike të tij, që mori pjesë në seancën kur u shqiptua dënimi, një ekip i televizionit shtetëror rus mori pjesë në seancë.
“E pyeta njërin nëse e dinte se për çfarë akuzohej Igori. Ai më tha: ‘Patjetër që e di. Ai është tradhtar i atdheut. Ai duhet të gjykohet. Ai ka luftuar në Ukrainë, ka braktisur pozicionet e tij dhe është larguar’”, tha Natalya Kholmanova, një mbështetëse e Baryshnikovit që mori pjesë në seancën kur u shqiptua dënimi.
“Ata as që e dinë se për çfarë akuzohet”, shtoi ajo.
Kholmanova tha se në sallën e gjyqit kishte qetësi kur u lexua vendimi, por kur Baryshniovi po prangosej, dikush bërtiti: “Ai shpëtoi paq”.
Nëse apeli për vendimin i Baryshnikovit hidhet poshtë, aktivisti do të vuajë dënimin në një burg në rajonin e Kaliningradit, që ka edhe spital.
Tash për tash, avokatët e tij thanë se ndërtesa e paraburgimit ku aktualisht po mbahet, po i ofron aktivistit procedura të dezinfektimit dhe ai mund të bëjë dush çdo ditë. Ndërkaq, kateteri i ndërrohet në një spital rajonal. Ekipi i tij ligjor ka nisur procesin për të tentuar lirimin e tij për shkaqe shëndetësore.
“Ne u kemi ofruar të gjitha dokumentet. Shefi i njësisë mjekësore [në qendrën e paraburgimit] i ka studiuar ato dhe menjëherë e ka parë që Igori ka kancer… Ai menjëherë ka paralajmëruar se ai duhet të dërgohet në spitalin rajonal për diagnostikim, dhe se ai veçse ka caktuar një termin për të “, tha avokatja tjetër e Baryshnikovit, Yekaterina Selizarova.
Një komision i posaçëm mjekësor do të vendosë për lirimin e tij për një ekzaminim mjekësor dhe trajtim, tha Selizarova.
Ajo shtoi se nëse nuk do të arrihet të lirohet para se të nisë zyrtarisht vuajtjen e dënimit, ata do të provojnë sërish pasi dënimi të hyjë në fuqi./REL
Top Channel