Policia ka ngritur dyshime mbi disa postime në rrjete sociale, kryesisht Facebook, ku dyshohet se shtetas të huaj reklamonin produkte me çmime të lira, por që kur klientët porosisnin produkti nuk shkonte në destinacion.

Sipas policisë, në rastet kur përdoruesit e interesuar, vendosin të dhënat e tyre personale apo bankare, për të bërë porosinë për produktin e reklamuar, produkti nuk dërgohet në destinacion dhe të dhënat e klientëve merren nga personat që kanë krijuar këto profile fallco.

Siç shihet nga fotoja, në postime ka komente nga përdorues të ndryshëm që shkruajnë shqip, por profili i tyre, përfshirë foton, emrin dhe mbiemrin, tregojnë që jo vetëm që nuk janë shqiptarë por edhe të dyshimtë.

Komentet janë të tilla si: “Kam pesë vite që blej produkte në këtë dyqan”; ofertë interesante dua një valixhe të tillë”; “Ka provuar dikush të porosisë?”

Këto komente marrin like dhe reagime të ndryshme, që mund të rrisin besueshmërinë tek të tjerët.

Policia këshillon të gjithë që të sigurohen për autenticitetin e faqes apo të profileve që mund të shikoni, përpara se të kryeni porositë tuaja, në mënyrë që të mos bini pre e këtyre mashtrimeve.

Gjithashtu policia fton të gjithë qytetarët që mund të jenë të dëmtuar nga ky aktivitet, ose që konstatojnë faqe të tilla, të paraqiten në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në DVP Tiranë.

Hetimi erdhi nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë monitorimeve të kryera në burimet e hapura dhe në rrjetet sociale, me qëllim parandalimin e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA