Pala maqedonase në Pikën Kufitare të Qafë Thanës ka refuzuar hyrjen me kartë identiteti të një qytetari nga Korça.
Lajmi u denoncua nga vetë qytetari në “Ti Raporton” në Top Channel. I shqetësuar, ai thekson se hyrja në tokën maqedonase iu refuzua edhe vëllait të tij pa asnjë lloj arsye, megjithëse ishte i pajisur me dokumente europiane.
“Përshëndetje. Jam një qytetar nga Korça dhe dua të denoncoj një rast që më ka ndodhur dje në mëngjes në doganën maqedonase në Qafë Thanë. U refuzuam, unë me kartë identiteti dhe vëllai im me dokumenta europiane, pa asnjë lloj arsye”- tha qytetari, duke hedhur dyshime se shkak është bërë mosdhënia e ryshfetit.
“Refuzimi dihet sepse une nuk ju dhashë rushfet doganierëve që do shihni në video”- thekson ai.
Në materialin video të xhiruar nga qytetari në momenti që e kanë ndaluar pa një përgjigje logjike, shihen dy oficerë të doganës që replikojnë:“Hiqe këtë telefon, lëre telefonin. Mos guxo të më nxjerrësh në telefon. Po hiqe more telefonin”.
Për të kuptuar çfarë po ndodhte, qytetari tregon se ka provuar të kalonte edhe në Pikën Kufitare të Tushemishtit, por nuk e kanë lejuar me argumentin se i është ndaluar hyrja për 24 orë.
“Sot shkova prapë në pikën tjetër doganore të Tushemishtit, dhe dogana jonë më thanë që jam i ndaluar për 24 orë. Kam pyetur për arsyen, dhe më thanë që kam kaluar ilegalisht dhe nuk ju thashë ku do shkoja, gjë që nuk është e vërtetë”– shkruan ai.
“Ju lutem bëni diçka se po na shkelin me këmbë”, shprehet i dëshpëruar qytetari.
Top Channel