Nefertiti konsiderohet si një nga gratë më të pushtetshme të antikitetit dhe një nga më të bukurat e tij. Sot Mbretëresha e Nilit gjendet në një muze të Berlinit dhe enigmat për të vazhdojnë.

Krenare dhe e paafrueshme duket Nefertiti që hedh vështrimin larg. Për këtë grua që ka jetuar në Egjiptin e Vjetër rreth 3500 vjet më parë, nuk dihen shumë gjëra. Emri i saj do të thotë: Bukuria mbërriti. Por nuk dihet nëse ajo ka qenë e gjatë apo e shkurtër, ka qenë e ashpër, zemërgjerë apo mendjemadhe. Të gjitha këto të dhëna mbeten të fshehura në histori. Për të nuk ka tregime nga dëshmitarë të asaj periudhe dhe asnjë papirus nuk tregon për jetën e saj. Vetëm disa objekte dhe mbishkrime antike japin detaje për Nefertitin e mistershme. 

Ajo që dihet është se në moshë të re, mbase në moshën nga 12 deri 15 vjeç, ajo u bë gruaja e faraonit Amenofis IV. Ai quhet faraoni heretik, sepse hoqi besimin tek shumë perëndi dhe lejoi vetëm Perëndinë e Dritës, Atonin, që prezantohet si disk diellor që rrezaton. Ai ndryshoi edhe emrin e vet duke e kthyer nga Amenofis në Ehnaton (ai që i shërben Atonit) dhe emrin e Nefertitit duke e kthyer në Neferneferuaton (“E bukur është bukuria e Atonit”). Ajo mori titullin “Bashkëshortja e madhe mbretërore dhe zuri vend të barabartë në krah të  shoqit, thotë Olivia Zorn, zëvendësdrejtore e Muzeut Egjiptian të Berlinit, që është pjesë e Muzeut të Ri. Ata krijuan një triadë me perëndinë Aton, një trinitet. Atoni, Ehnatoni dhe Nefertiti ishin gati një njësi qeverisëse”, thotë ajo për Deutsche Wellen

Një qytet të ri për perëndinë Aton  

Rreth 1.350 vjet para Krishtit çifti sundimtar u largua nga kryeqyteti Teba dhe krijoi brenda një kohe të shkurtër qytetin me 50 mijë banorë, Ahet-Atonin (“Horizonti i Atonit”) ku vendosën edhe banesën e tyre mbretërore. Ai gjendet në një luginë të mbrojtur nga shkëmbinj të thepisur, rrafshnalta e Amarnës.

Për perëndinë e tij Ehnatoni krijoi edhe një tempull: Gem-Pa-Aton (“I gjetur është Atoni”). Por me monoteizmin e urdhëruar nga lart, çifti mbretëror bëri shumë armiq. Mijëra klerikë nuk kishin më me çfarë të merreshin. Në vitin e 17-të të qeverisjes, Ehnatoni ndërroi jetë. Nuk dihet çfarë ndodhi me Nefertitin, thotë Zorn. Mbase pas vdekjes së tij ajo mund të ketë qeverisur një periudhë kohe vetë duke mbajtur emrin “Semenhkare“, por edhe mund të ketë vdekur para tij.

Një reliev - Faraoni Ehaton dhe Nefertiti nderojnë perëndinë Aton

Faraoni Ehaton dhe Nefertiti nderojnë perëndinë AtonFotografi: Paul Schemm/AP Photo/picture alliance

“Vepra më vitale egjiptiane” 

Qartësia në histori fillon sërish në dinastinë e ardhshme të faraonëve, në periudhën kur në pushtet erdhi Tutankhamoni legjendar. Ai dhe këshilltarët e tij lejuan sërish besimin tek perënditë e vjetra. Veprat e ngritura nga Ehnatoni për nder të Atonit u shkatërruan nga themelet dhe u përdorën si gurë ndërtimi. Edhe kryeqyteti i ri Ahet-Aton u shkatërrua dhe nëse kurrkush nuk do të kishte dëgjuar për Nefertitin, atëherë arkitekti dhe egjiptologu gjerman, Ludwig Borchardt, nuk do të kishte shkuar në fillim të shekullit të 20-të në Egjipt, për të kërkuar gjurmët e qytetit misterioz që ndodhej në Amarna.

Me porosi të perandorit Wilhelm II, ai kërkoi objekte për Muzeun Mbretëror të Berlinit. Më 6 dhjetor 1912, Ludwig Borchardt dhe ekipi i gërmuesve të tij hasën me punishten e një skulptori që mund të kish punuar në oborrin mbretëror 1.300 vjet para Krishtit. Mes dherave të gërmuar ata gjetën disa buste mes të cilave edhe një me kurorë helmete ngjyrë blu të errët. Veshët e bustit ishin goditur, sytë ishin rrethuar me qymyr. Tek syri i majtë mungonte bebja e syrit, përndryshe objekti kishte mbijetuar krejtësisht. 

Borchardt u entuziazmua shumë: “Ne kishim në duar veprën më vitale egjiptiane shkruan ai. Bustin me madhësi natyrore të Mbretëreshës, 47 cm i lartë, punuar me mjeshtëri të madhe. Nuk ia vlen ta përshkruash. Ai duhet parë.”

Kapuçi kurorë i Nefertitit ka qenë zbukurim i zakonshëm koke në Egjiptin e lashtë, po ashtu si paruka voluminoze. Ka shumë mundësi që koka e mbretëreshës poshtë kapuçit të ketë qenë e qethur tullë. Duke pasur parasysh mbulesën e rëndë në kokë, qethja ishte më praktike, dhe nuk lejonte morrat që të ngjiteshin. A kishte ajo edhe pluhur makijazhi, për të nxjerrë në pah bukurinë e saj? “Make-up në kuptimin e sotëm nuk ekzistonte në atë kohë, shpjegon Olivia Zorn. “Por gratë i lyenin sytë duke bërë këtë vijë të bukur mbi kapakun e syrit. Gjë që kishte edhe efekt antiseptik, sepse ndalonte bakteret që të hynin në sy, t’i infektonin dhe të shkaktonin humbjen e shikimit.”

Nefertiti kundrejt një figure altari  

Borchard e solli bustin e Nefertitit në Berlin, ndihmuar financiarisht nga Shoqata Gjermane e Orientalistëve, e cila financoi edhe misionin e tij në Egjipt. Në bazë të rregullave të atëhershme të gjitha gjetjet antike u ndanë në mënyrë të barabartë midis Egjiptit dhe vendit, nga i cili bëheshin gërmimet. Borchardt përfaqësonte Mbretërinë Gjermane.

Gaston Maspero, drejtor i shërbimit antik që drejtohej nga francezët, ngarkoi bashkëpunëtorin e tij Gustave Lefebvre me ndarjen e objekteve antike të gjetura. Njëra palë mori ndër të tjera bustin e Nefertitit, pala tjetër një figurë altari që tregonte çiftin mbretëror Ehnaton dhe Nefertitin së bashku me tre nga fëmijët e tyre.

Meqenëse Muzeu Kajros nuk zotëronte deri në atë kohë asnjë figurë altari, u mor vendimi që figura e altarit dhe jo busti të qëndronin në Kajro. Më pas Borchardt u akuzua se e kishte prezantuar bustin në ambient të errët, në mënyrë që të mos ngjallte interesimin e Lefebvres.

Nefertiti i përgjigjet idealit modern të bukurisë  

Dhe kështu egjiptiania e bukur mori rrugën për Berlin, ku iu prezantua publikut për herë të parë në vitin 1924, duke shkaktuar një boom të vërtetë per Nefertitin. Ajo u pasqyrua në kapakët e revistave të ilustruara dhe u kthye në ikonë reklame për kozmezikën, parfumet dhe bizhuteritë, por edhe birrën, kafen e cigaret. Mijëra vjet me radhë mbuluar nga rëra e shkretëtirës, Nefrotete u kthye sërish në idhull admirimi, mbase si në kohën kur kishte qenë e gjallë.

“Që në fillim të shekullit XX ajo kishte të njëjtat ideale bukurie të kohës së sotme moderne me kockat e dala në faqe dhe fytyrën me tipare të imta”, thotë Zorn. Dhe shton: “Sigurisht që sot nuk mund të thuash me siguri nëse ky ka qenë ideali i bukurisë edhe 3.500 vjet më parë.”

Gjermani Ludwig Borchart e solli Nefertitin në Berlin - pamje nga dokumentari "Nefertiti - kujt i përket bukuria?"

Gjermani Ludwig Borchart e solli Nefertitin në Berlin – pamje nga dokumentari “Nefertiti – kujt i përket bukuria?”Fotografi: Medea FILM

Sekretet e bustit të Nefertitit  

Busti me ngjyra nuk është i vetmi imazhi i gjetur Nefertitit. Objekte antike e tregojnë atë në ceremonitë fetare dorë për dore me Ehnatonin ose si nënë e kujdesshme bashkë me gjashtë vajzat e saj. Po ashtu ekzistojnë edhe statuja të tjera: Ato të gjitha tregojnë imazhin subjektiv të artistit, pra atë çka ai ka menduar se është e bukur, ose ai ka realizuar atë çka i kanë thënë Mbreti ose punonjësit e lartë të oborrit. Por a tregojnë ato Nofreteten e vërtetë?” 

Në brendësi të bustit fshihet një bërthamë me allçi, mbi të cilën skulptori ka modeluar fytyrën e Nefertitit. Në bazë të tomografive kompjuterike të bëra në viti 2007 dihet se mbretëresha ka qenë shumë më e dobët dhe se ka pasur rrudha të shumta. “Mbi to artisti ka vendosur një shtresë të hollë allçie që funksionon gati si bazamenti i një make-upi të sotëm që mbulon nivelet e ndryshme të lëkurës,thotë Zorn.

Por Nefertiti nuk ka qenë me një sy. Olivia Zorn supozon cila ka qenë arsyeja që bustit i mungon një sy: “ajo është një model, që do të thotë se është përdorur nga artisti për të krijuar buste të tjera të mbretëreshës. Ai mbase nuk e ka vendosur një sy, për të provuar në të materiale të ndryshme,shpjegon ajo.

Problemi me hundën autentike  

Për të bërë rikonstruksion e saktë të fytyrës së vërtetë të Nefertitit do të ishte e nevojshme mumia e saj. Por deri më sot mumia e Nefertitit nuk është identifikuar qartë, megjithëse herë pas here ka patur rudimente, thotë Zorn. Edhe nëse mumia do të mund të identifikohet një ditë saktësisht, paqartësitë do të vazhdojnë të ekzistojnë. Mumiet natyrisht që janë të reduktuara. Ato përbëhen vetëm nga kockat dhe lëkura, dhe më e vështira në rikonstruktimin e një fytyre është zakonisht hunda.

Natyrisht që ka shkencëtarë që mund të thonë me saktësi, sa mish ka pasur poshtë kësaj lëkure. Por rikonstruktimi me saktësi i një hunde është i pamundur me mundësitë që ekzistojnë sot. Megjithatë me siguri që nga çdo mumie mund të bëhet një Nefertiti, për sa kohë që është e mundur që gjatë punës të ndikohesh nga busti i Nefertitit, pra imazhit që ke në kokë. Por ky nuk është më rekonstruksion objektiv.

Çfarë pamjeje ka pasur Nefertitit vërtet, nuk mund të thuhet 3.500 vjet pas vdekjes së saj. Dhe falë bustit, ajo mbetet në kokat e njerëzve si bukuri e jashtëzakonshme.

I kujt është busti? 

Egjipti dëshiron ta “riatdhesojë” ambasadoren më të famshme të vendit, por Berlini nuk mendon kështu. Nuk ekziston absolutisht asnjë e drejtë restitucioni. Baza ligjore është e qartë, thotë zëvendësdrejtorja e Muzeut Egjiptian në Berlin, sepse me kontratë busti i është dhënë 100 vjet më parë egjiptologut gjerman, Ludwig Borchardt.

Parë me sytë e sotëm shtrohet pyetja nëse Egjipti kishte në atë kohë të drejtë fjale, sepse vendi ndodhej nën sundimin kolonial britanik dhe autoritetet që merreshin me antikitetin ndodheshin nën drejtimin francez.

Por Olivia Zorn shton menjëherë një argument për të forcuar pretendimin e saj: busti nuk është më në gjendje të udhëtojë për arsye konservimi. Nëse e nisim në udhëtim, atëherë ekziston rreziku që ajo të mos kthehet më në gjendje të shëndoshë. Dhe unë mendoj se kurrkush nuk e do një gjë të tillë.  Prandaj Nefertiti do të vazhdojë hë për hë të qëndrojë në Berlin./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA