Prokuroria e Durrësit dërgon për gjykim 13 marinarët e marrë të pandehur për 62 mijë litra naftë të sekuestruara nga autoritetet shqiptare që vinin kontrabandë nga Libia.

Ndaj ekuipazheve të dy anijeve të përfshira në këtë hetim janë ngritur akuzat për kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë dhe moskallëzim krimi. Gjashtë muaj pas operacionit të përbashkët 48-orësh të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s nga deti dhe ajri, prokuroria ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të 13 shtetasve, 3 prej të cilëve janë shqiptarë, të tjerët të huaj.

Dy anijet e peshkimit, një shqiptare dhe një libiane, përkatësisht “Geni” dhe “ABOBAKR 124”,  u diktuan nga Guardia di Finanza italiane duke shkëmbyer naftën në det të hapur, për ta sjellë e tregtuar më pas në Shqipëri me çmim më të lirë se ai i tregut, që në fillim të këtij viti ofronte ccmime tejet të larta për karburantet. Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës Durrës u arrestua ekuipazhi i anijes “Geni”.

Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka ngritur akuzën e “Kontrabandës me mallra per te cilat paguhet akcize ose me pezullim të plote apo të pjesshëm nga detyrimet doganore, ose të akcizës” të parashikuar nga neni 172/3 te Kodit Penal për Elton Qevanin dhe Selim Gabën, ndërsa për dy marinarët e kësaj anijeje, në shqiptar dhe një egjiptian, është ngritur akuza e moskallëzimit të krimit. Ndërkohë akuza për kontrabandë nafte rëndon edhe ndaj kapitenit të anijes nga Libia Muhamed Arafe, ndërsa 8 marinarët e tjerë të saj akuzohen për moskallëzim krimi.

Pas arrestimit, drejtuesit e anijes shqiptare të peshkimit “Geni” patën deklaruar se janë furnizuar me naftë për nevojat e anijes dhe jo për ta tregtuar atë me qëllime fitimi.

Nëse gjehen fajtorë për kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë, tre të akuzuarit, drejtues respektivë të dy anijeve, rrezikojnë dënimin me burgim deri në 7 vjet. Ndërkaq për marinarët e tjerë që akuzohen për moskallëzim krimi kodi ynë penal parashikon dënimin me gjobë ose me burgim gjer në 3 vjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA