Katari 100 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën

28/07/2023 16:10
Në foto: Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman al Thani takim me kryeministrin e Ukrainës, Denys Shmyhal

Katari është i vendosur t’i japë 100 milion dollarë ndihmë humanitare Ukrainës.

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal e zbuloi zotimin pas bisedimeve me kryeministrin e shtetit të Gjirit. Kjo erdhi ndërsa kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman al Thani, vizitoi Kievin të premten.

Shmyhal tha: “Këto para do të kanalizohen për rindërtim në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, çminimin humanitar dhe projekte të tjera të rëndësishme sociale dhe humanitare.”

Kryeministri ukrainas tha se ai dhe homologu i tij i Katarit diskutuan formulën e paqes të Ukrainës – një plan paqeje prej 10 pikash që kërkon sigurinë bërthamore, energjetike dhe ushqimore, rivendosjen e kufijve dhe pika të tjera.

Zoti Shmyhal falënderoi gjithashtu Katarin për gatishmërinë e tij për të ndërmjetësuar në përpjekjet për të riatdhesuar mijëra fëmijë ukrainas të dërguar në Rusi që nga pushtimi i Moskës.

Top Channel