“Sot është një ditë e trishtë”, Silva mbyll karrierën nga “infermieria”: Futboll, faleminderit!

27/07/2023 16:23

David Silva detyrohet të “var këpucët në gozhdë” në moshën 37-vjeçare.

Spanjolli pësoi një dëmtim të rëndë, teksa këputi ligamentet e gjurit të majtë në një prej seancave stërvitore me Real Sociedad. Nëpërmjet një video ku përmbledh të gjithë karrierën e tij, David Silva njoftoi tërheqjen nga futbolli duke deklaruar se sot është një ditë e trishtë për të.

Karriera e David Silvës është mjaft e pasur duke qenë se ai ka fituar titujt më të rëndësishëm në karrierën e një futbollisti si Kampionati Botëror, dy Europianë, katër Premier League, dy Kupa Mbreti, pesë Kupa të Ligës, dy FA Cup si dhe tre Community Shield ndërsa i mungon vetëm Champions League. Gjatë karrierës së tij, Silva numëron 784 ndeshje në të cilat ka mundur të shënojë 124 gola si dhe të asistojë në 154 raste, raporton Supersport.

Silva e nisi karrierën në Spanjë me Eibar për të vazhduar më pas te Celta Vigo, Valencia, Manchester City si eksperienca më e rëndësishme dhe në fund rikthimi në LaLiga te Real Sociedad, pjesë e të cilës ishte prej vitit 2020.

Top Channel