“Me lëkurë të bardhë si bora dhe buzë të kuqe si gjaku”, kjo është një prej frazave që në minutat e para të përrallës “Borëbardha dhe 7 Xhuxhat”, por askujt s’do t’ia priste mendja se personazhi kryesor në filmin ikonik të të gjitha kohërave do të ishte latin.
Pas publikimit të fotove gjatë xhirimeve, kritikat vërshuan drejt kastit të Disney-t për filmin e ardhshëm të Borëbardhës. Shikuesit shprehen të zhgënjyer për devijimin nga tregimet origjinale të Disney-t.
Shumë prej qytetarëve në mbarë botën pretendojnë se devijimi nga origjinali heq thelbin e tregimeve dhe i ngatërron fëmijët.
Të tjerë theksuan se Borëbardha është shkruar nga autorë gjermanë dhe personazhet në tregim janë gjithashtu me origjinë gjermane, ndërsa në filmin modern shtatë xhuxhat janë të gjinive dhe etnive të ndryshme.
Ata kritikuan Disney-n edhe për përzgjedhjen e Rachel Zeglar, për rolin e Borëbardhës, e cila është pjesërisht kolumbiane.
Por para Borëbardhës latine, ishte versioni modern i filmit ”Sirena e Vogël” që u përball me kritika për ndryshimin e versionit origjinal. Kur përmendet “Ariel” në mendje të vjen një sirenë lozonjare me lëkurë të bardhë dhe flokë të kuq, por regjisori Michael Johnson zgjodhi Halle Bailey një aktore dhe këngëtare afrikano-amerikane për versionin modern të 2023-shit.
“Nëse do ta bënim Tianën (Princesha dhe Bretkosa) të bardhë, do të kishim zemëruar shumë njerëz me ngjyrë. Njëlloj sikur të ndryshonim racën e Mulanit ose Pocahontas-it, apo të Lilo & Stitch, Jaseminit, Aladdit, Moanas etj. E di që nuk do të ishte kurrë e pranueshme”, shkruan një amerikane.
Vendimi për t’i dhënë rolin Bailey si Ariel ishte rezultat i një “kërkimi të gjerë”, tha regjisori i filmit, Rob Marshall, në një deklaratë për NBC News .
“Nuk e kisha të qartë se Halle posedon atë kombinim të rrallë të shpirtit, zemrës, rinisë, pafajësisë dhe substances, plus një zë të lavdishëm, të gjitha cilësitë e brendshme të nevojshme për të luajtur këtë rol ikonik”, tha Marshall.
Disa prej qytetarëve në mbarë botën thonë se kjo është një lëvizje e zgjuar e Disney-t për të qetësuar lëvizjen e LGBTQ+ apo mbështetur grupet e margjinalizuara.
Kjo dyshohet se po ndodh për të mbështetur agjendën e tyre mbi politikat e identitetit racor. Por se cili është qëllimi i Disneyt-t për të devijuar nga origjinali dhe futja e personazheve të rinj, ende nuk ka një deklaratë zyrtare.
“Njerëzit janë të acaruar sepse kjo qasje ka si qëllim fitimet në arkë, dhe kjo është pikërisht ajo që produkti final reflekton. Hollywood-i dëshiron t’i mësojnë audiencës të duan atë që Hollywood u thotë të duan. Filmi është bërë kaq jo origjinal dhe i sajuar kohët e fundit. Duhet ndaluar përpjekja për të politizuar filmin”, tha Erika Slover, ish-punonjëse e The Walt Disney Company.
“Unë vetë jam i zi dhe të them të drejtën, e urrej kur e bëjnë këtë. Ne duhet të prezantojmë personazhet e zinj të Disney-t, jo të rrëmbejmë personazhet e bardhë të Disney-t dhe t’i bëjmë të zinj. Për çfarë bëhet kjo? Nuk ia vlen historia jonë origjinale? Fakti që anëtarët e komunitetit të zi e mbështesin këtë është absolutisht e neveritshme, brez i humbur. Mbani karakteret e bardhë të bardhë dhe mbajini karakteret e zinj të zinj, kaq e thjeshtë është. Imagjinoni që Black Panther i ri të ishte një aktor i bardhë, komuniteti do të rrokullisej dhe ne do të kishim protesta për javë të tëra”, tha inxhinieri dhe psikologu Max Echendu, i David Young Community Academy.
“Ndryshimi i përkatësisë etnike të personazhit është thjesht një lëvizje tjetër ‘zgjuar’ nga Disney për të qetësuar komunitetin LGBTQI+ dhe për të nxitur axhendën e tyre radikale të transformimit gjinor te fëmijët tanë. Kjo që po them nuk është raciste, është thjesht fakt”, tha një komentues.
“Borëbardha ishte, ashtu siç nënkupton emri i saj, e bardhë. Jo latine. Është raciste”, thotë një tjetër.
“Ata po zbatojnë diversitetin në filmat e tyre për të mbështetur agjendën e tyre mbi politikat e identitetit racor”, tha një qytetare.
Vetë aktorja, Rachel Zegler shprehu mirënjohjen e saj për fansat, por gjithashtu tha se nuk dëshiron të angazhohet më me “diskursin e pakuptimtë” që rrethon rolin e saj si Borëbardhë.
22-vjeçarja shkroi në Twitter më 15 korrik: Shumë mirënjohëse për dashurinë që ndjej nga ata që më mbrojnë në internet, por ju lutem mos më etiketoni në diskursin e pakuptimtë për kastin tim.
Një tjetër film ikonik ka nxitur shumë shumë krtitika. “Spider-Man: Across the Spider-Verse” është hequr papritur nga listat e kinemave në më shumë se 12 vende me shumicë myslimane. Shkak është bërë posteri transgjinor në një prej skenave të filmit vizatimor, ku lexohet “mbroni fëmijët trans”.
Filmi gjithashtu ka ngjallur debat në internet nëse personazhi Gwen Stacy është trans. Një rast i ngjashëm ndodhi vitin e kaluar, ku Disney’s Lightyear u ndalua në 13 vende me shumicë myslimane për paraqitjen e një skene me puthje lezbike.
Mes kritikave për pjesëmarrjen e personave të grupeve të margjinalizuar është edhe filmi Barbie, i cili po thyen rekord shikueshmërie në kinematë e gjithë botës.
Filmi i shumëpritur i Greta Gerwig, po tërheq kritika nga disa turma konservatore për pjesëmarrjen në film të aktores transgjinore Hari Nef.
Përfshirja e Nefit dhe disa nga temat feministe janë vlerësuar si një portret i larmishëm dhe fuqizues i kukullës ikonike, por personalitetet dhe komentuesit e ekstremit të djathtë e shohin atë ndryshe. Faqja e krishterë Movieguide e kritikoi filmin për përfshirjen e personazheve.
“Filmi i ri i Barbie harron audiencën e tij kryesore të familjeve dhe fëmijëve, ndërsa ushqen të rriturit nostalgjikë dhe nxit histori të personazheve lezbike, homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë”, lexohet në artikull. Mos e çoni vajzën tuaj te Barbie”, shkruhet në postim.
Edhe gruaja e deputetit amerikan Matt Gaetz, Ginger Gaetz e kritikoi filmin pasi mori pjesë në premierën e tij këtë javë, duke thënë se ai “për fat të keq neglizhon të trajtojë çdo nocion të besimit ose familjes.
Në një intervistë për Attitude , Robbie tha se kukullat nuk kanë gjini sepse janë kukulla.
“Ata në fakt nuk kanë orientime seksuale sepse nuk kanë organe riprodhuese”, tha ajo. Megjithatë, gjatë përzgjedhjes, Robbie, e cili është gjithashtu një nga producentët e filmit dhe Gerwig donin të siguroheshin që Barbieland të ishte gjithëpërfshirës.
“Ishte kaq e rëndësishme që çdo person që ishte pjesë do të mund të ishte përfaqësonte çdokush që mund ta shihte këtë film”.
Së bashku me Nef, anëtarë të tjerë të kastit LGBTQ+ janë edhe Kate McKinnon, Alexandra Shipp dhe Scott Evans.
Erjona Dervishi/ TCH
Top Channel