Ditët e fundit, emri i trajnerit të Polonisë (kundërshtare e Shqipërisë në eliminatoret e Evropianit), Fernando Santos, është lidhur me Al Shabab, klub nga Arabia Saudite.
Mirëpo këto zëra i ka përgënjeshtruar Presidenti i Federatës Polake të Futbollit, që ndau në rrjetet sociale një mesazh që mori nga trajneri aktual.
“Lajmet e fundit se Fernando Santos synon të japë dorëheqjen nga kombëtarja polake nuk janë të vërteta. Kam një mesazh të vogël nga Fernando Santos për të gjithë tifozët polakë: “Kam një kontratë me kombëtaren polake dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Besoj në mbështetjen tuaj në garën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian!”, shkruhet në postimin e Cezary Kulesza.
Kujtojmë që këtë të diel edhe vetë Federata Polake e Futbollit me një deklaratë mohoi largimin e Fernando Santos në Arabinë Saudite.
“Trajneri është me pushime. Një javë më parë ai ishte në Poloni për të parë Superkupën mes Rakovit dhe Legias së Varshavës dhe nuk kishte asnjë shenjë nga ana e tij për të ndryshuar planet e tij profesionale”, lexohet në shënimin e publikuar në rrjetet sociale./ Super Sport
Top Channel