“Maldivet” e Evropës/ “The Sun” promovon Vlorën: Birra 1 paund dhe hotele të lira, aeroporti i ri do të sjellë dyndje të turistëve

21/07/2023 14:45

Vlora, perla e Adriatikut dhe Rivierës shqiptare, është kthyer në një atraksion të mahnitshëm turistik për vendas dhe të huaj.

E konsideruar si “Maldivet” e Evropës, qyteti bregdetar ofron gjithçka për turistët, nga historia tek natyra dhe ujrat e kaltra. Gjithçka, dhe madje me kosto të ulët. Përmes një artikulli dedikuar bregdetit shqiptar, gjigandi mediatik “The Sun” promovon plazhet tona si alternativa më fantastike për të kaluar pushimet në Mesdhe.

“Një pikë e nxehtë për pushime, me popullaritet në rritje për shkak të ofertave të lira dhe plazheve të bukura, tashmë do të jetë shumë më lehtësisht e arritshme për britanikët”- shkruan “The Sun”, duke shtuar se me ndërtimin e aeroportit të ri, Vlora pritet të shoh një dyndje të pushuesve që preferojnë të relaksohen në detin e kaltër.

Artikulli vë në dukje se Vlora, si pjesë e rivierës shqiptare, ka parë një dyndje të turistëve britanik për ta vizituar këtë vit. Aktualisht, ata duhet të fluturojnë drejt qytetit të Tiranës dhe më pas të udhëtojnë me orë të tëra për të shkuar në resortin bregdetar. Megjithatë, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është vendosur të hapet në prill 2024 – duke i bërë pushimet shumë më të lehta.

Aeroporti prej 90 milionë paund do të ketë një pistë prej dy miljesh dhe mund të mbajë deri në dy milionë pasagjerë në vit. Ndërsa ende nuk është konfirmuar se cilat linja do të operojnë nga aeroporti, Ryanair njoftoi së fundmi 17 linja të reja drejt Tiranës nga Britania e Madhe. Linja të tjera ajrore me një kosto të ulët mund të ndjekin shembullin kur aeroporti në Vlorë të hapet vitin e ardhshëm. Ka pasur disa kundërshtime pas ndërtimit të aeroportit të Vlorës, për shkak të afërsisë që ka me Lagunën e mbrojtur të Nartës, e cila është shtëpia e mijëra specieve. Mirëpo, vendasit shpresojnë se kjo do të ndihmojë në nxitjen e turizmit në zonë.

Adriatik Sela, i cili jeton në fshatin aty pranë, në Akerni, tha për mediat lokale se ai shpreson se biznesi do të ndihmojë në krijimin e më shumë vendeve të punës. Ndërkohë, Ministria e Turizmit tha se ata zgjodhën zonën për shkak se një pistë ajrore ushtarake ishte në ndërtim më parë atje në vitet 1920, raporton “The Sun”.

Artikullit të tabloidit britanik i ka bërë jehonë edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një mesazhi në rrjetet sociale shihet i ngazëllyer me faktin që plazhet tona ofrohen si alternativa fantastike për pushimet në Mesdhe.

Riviera shqiptare është rritur në popullaritet këtë verë me britanikët që duan edhe pushime edhe plazh me kosto më të ulët. Jo vetëm që fluturimet janë vetëm disa orë larg nga Britania e Madhe, por birra kushton 1,10 paund dhe hotelet fillojnë nga 20 paund nata. Disa madje e kanë krahasuar atë me Maldivet, me ndryshimin e vetëm se vilat mbi ujë të të cilës kushtojnë vetëm 8 paund, në karahasim me koston qindra-mijëra euro të të pushuarit në vendin aziatik.

Një aeroport i ri në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu mund të rihapet për herë të parë në një dekadë. Aeroporti Plymouth u detyrua të mbyllet në vitin 2011, por shpreson të rifillojë fluturimet e pasagjerëve. Edhe Aeroporti Manston në Mbretërinë e Bashkuar shpreson të rifillojë fluturimet e planifikuara të pasagjerëve për herë të parë në gati 20 vjet, përmbyll kështu artikullin e “The Sun”.

FOTO GALERI
1/4
Një aeroport i ri do të hapet në një pikë të volitshme pushimesh vitin e ardhshëm

Top Channel